Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë momentum politik për zgjerim të BE-së

Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është kërkuar të shfrytëzojnë momentumin e krijuar dhe të jenë të gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, në panelin me përfaqësues të BE-së dhe kryediplomatëve të gjashtë vendeve të rajonit, u tha se zgjerimi është prioritet në BE.

Këtë e mirëpritën përfaqësuesit e vendeve të rajonit, derisa kërkuan mbështetje shtesë të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Nikoqirja e samitit, ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon tha se tani është momentumi politik për zgjerim të BE-së dhe se këtë duhet ta shfrytëzojnë vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Kemi një momentum unik politik. Prandaj për këtë data është diçka që mund të fillojmë të mendojmë ndryshe. Kemi maturitetin dhe krijimtarinë ose kreativitetin politik. Mesazhi se BE-ja do të jetë e gatshme deri në vitin 2030 është historik nëse e shohim në aspektin optimist po themi", tha ajo.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.