Pas forumit në Slloveni, Kurti fton për vizitë në Kosovë kryeministrin e Bullgarisë

Në kuadër të Forumit të Bledit për Siguri, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një takim dy palësh me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov.

Gjatë takimit Kurti foli për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe optimizimin e potencialit të bashkëpunimit sidomos në fushën e ekonomisë. Kujtojmë se në qershor të këtij viti Oda Ekonomike Kosovë-Bullgari themeloi selinë e saj në Sofje. 

Gjithashtu Kurti e njoftoi kryeministrin Denkov edhe për progresin ekonomik dhe demokratik, arritjet kryesore të qeverisjes dhe reformat në fushën sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, të cilat janë identifikuar dhe vlerësuar gjerësisht në raporte të besueshme ndërkombëtare. 

Ai gjithashtu e ftoi atë për vizitë në Kosovë në një të ardhme të afërt.