Reth 80 persona të arrestuar për zjarret në Greqi

Autoritetet greke kanë arrestuar 79 persona si të dyshuar për zjarrëvënie në të gjithë vendin.

Ministri grek i Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias bëri të ditur se ka patur përpjekje nga zjarrvënës për të ndezuar vatra të reja zjarresh në Malin Parnitha të Athinës, që prej disa ditësh është nën pushtetin e flakëve.

Kjo vatër zjarri është një nga qindrat vatra aktive në të gjithë Greqinë që kanë shkatërruar vendin gjatë javës së fundit.

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve gjatë ditëve të fundit.

Ministri i Mbrojtjes Civile doli në një konferencë urgjente për shtyp mbrëmjen e së enjtes, duke paralajmëruar zjarrvënësit se do të përballen me pasoja ligjore.

“Jeni duke kryer krim kundër vendit. Zjarrvënësit po ndezin zjarret që kërcënojnë pyjet, pronat dhe mbi të gjitha jetët njerëzore. Nuk do të ikni, do t’ju gjejmë dhe do të mbani përgjegjësi”, tha tha ministri Kikilias në mesazhin drejtuar qytetarëve grekë.

Qindra zjarrfikës grekë janë duke luftuar me zjarret në të gjithë vendin. Edhe Shqipëria ka dërguar ekip zjarrfikësish në Greqi për të ndihmuar në fikjen e zjarreve.