Zjarret sërish jashtë kontrollit, rreth 74 000 hektarë janë djegur në verilindje të Greqisë

Zjarret e mëdha pyjore në Greqinë Verilindore, pranë kufirit me Turqinë, vazhduan të digjen për të nëntën ditë radhazi edhe sot.

”Kushtet për zjarrfikësit janë shumë të vështira dhe shpresat për frenimin e zjarrit nuk po duken ende”, tha për transmetuesin ERT, Dimitris Petrovich, zëvendësguvernatori i rajonit.

”Fatkeqësisht, ne nuk shohim që fronti mund të frenohet dhe të vihet nën kontroll”, tha ai.

”Erërat pritet të lëvizin të hënën dhe flakët mund të përhapen edhe më tej”, tha ai.

”Pyjet në zonën e Dadias janë pyje të virgjëra që janë lënë qëllimisht natyrore dhe nuk janë prerë”, tha Petrovich.

Kjo tani po i ndërlikon përpjekjet për shuarjen e zjarrit. Autoritetet rajonale kanë rinovuar apelet për më shumë zjarrfikës.

Rreth 74 000 hektarë janë djegur në verilindje të Greqisë, 13 000 prej tyre vetëm në parkun kombëtar Dadia, raportojnë mediat greke.

Komisioni Evropian e përshkroi atë si zjarrin më të madh të vetëm në historinë e Bashkimit Evropian.