Presidenti i KE-së: BE-ja dhe vendet kandidate të jenë të gatshme për zgjerim deri në vitin 2030
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se viti 2030 duhet të vendoset si afat kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshme për zgjerim.
Ai në Forumin Strategjik të Bledit, tha se tash e tutje vendeve kandidate për anëtarësim të BE-së duhet referuar si vende të ardhshme të BE-së.
Michel shtoi se BE-ja duhet të përballet me dilemën se a do të jetë vetëm një union që merret me menaxhimin e krizave apo një aktore që vendos për të ardhmen.
Derisa pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian.
“Është koha për të përballuar sfidat me qartësi dhe ndershmëri. Rruga drejt BE-së për Ballkanin Perëndimor filloi më shumë se 20 vjet më parë, një rajon në zemër të Evropës i rrethuar nga BE-ja, ishte gjithashtu një rajon i dalë nga konflikti pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Dhe Samiti i Selanikut në 2003 konfirmoi perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor, por ritmi i ngadaltë i këtij udhëtimi në BE ka zhgënjyer shumë, si në rajon ashtu edhe në BE... Ndërsa përgatisim agjendën e ardhshme strategjike të BE-së, ne duhet t'i vendosim vetes një objektiv të qartë. Unë besoj se duhet të jemi gati të dyja palët deri në vitin 2030 për t'u zgjeruar”, tha ai.
