Joe Biden dënon sulmin racist në Jacksonville: Heshtja është bashkëpunim!
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dënoi sulmin racist, në të cilin një burrë qëlloi dhe vrau tre persona me ngjyrë, të shtunën, në një dyqan në Jacksonville.
“Edhe pse vazhdojmë të kërkojmë përgjigje, duhet ta bëjmë të qartë se supremacia e të bardhëve nuk ka vend në Amerikë”, tha dje Biden në një deklaratë.
“Ne duhet të refuzojmë të jetojmë në një vend ku familjet e njerëzve me ngjyrë që shkojnë në dyqan ose studentët me ngjyrë që shkojnë në shkollë të jetojnë me frikën se mos vriten për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre”, shtoi ai.
“Forcat e rendit, po e trajtojnë sulmin si një krim të mundshëm urrejtjeje dhe akt të terrorizmit vendas. Ata po hapin gjithashtu një hetim federal për të drejtat civile”, tha Biden.
“Urrejtja nuk duhet të ketë një vend të sigurt. Heshtja është bashkëpunim dhe ne nuk duhet të heshtim”, shtoi ai.
Sulmi ndodhi para orës 14:00, më pak se 1,6 kilometra nga Universiteti Edward Waters, një universitet i vogël historikisht i frekuentuar nga studentët me ngjyrë.
Sulmuesi, i cili kishte postuar edhe shkrime raciste, më pas vrau veten.


