Policia jep shifrat zyrtare: Janë 41 turistë polakë të helmuar. Po hetojmë bashkë me specialistët e AKU

Policia e Vlorës se numri i të helmuarve që janë paraqitur në spitalin e Vlorës mbrëmjen e sotme është 41 dhe të gjithë janë shtetas polakë.

Po ashtu, policia bën me dije se ka nisur dhe hetimi për ngjarjen e rëndë.

Njoftimi i Policisë Vlorë - Informacion paraprak

Rreth orës 20:10, në spitalin e Vlorës, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, me simptoma helmimi nga ushqimi, 41 shtetas polakë (turistë), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga verifikimet paraprake rezulton se këta shtetas, gjatë ditës së sotme, kanë qenë me guidë, me anije turistike, në ishullin e Sazanit.

Grupi hetimor i ngritur për këtë rast, në bashkëpunim me specialistë të AKU-së dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të helmimit të këtyre shtetasve.