Kreu i Emergjencave flet për "Ora News", Çako: Situata në malin e Shpiragut e kemi nën kontroll, vetëm 1 vatër aktive
Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako në një lidhje në studion e lajmeve në “Ora News” raportoi mbi situatën e fundit të zjarreve në malin e Shpiragut.
“Pothuajse në të gjithë zonën janë shuar, por është një vatër aktive ende, pasi ka pasur vështirësi në terren.
Situata në vend përveç Shpiragut, është normale. Nuk kemi problematika zjarresh në asnjë zonë.
Sa i përket dëmeve kemi të bëjmë me një tokë të djegur në Shpirag kryesisht me shkurre”, u shpreh ndër të tjera kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.

Me heret edhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka treguar se situata e zjarrit në malin e Shpiragut është nën kontroll.
Terreni i vështirë ia ndërlikon punën zjarrfikësve, por është helikopteri Cougar që ka ardhur në ndihmë që në orët e para të mëngjesit, shprehet Peleshi.
"Situata është nën kontroll dhe zjarri po shkon drejt izolimit të plotë në malin e Shpiragut, në bashkinë e Beratit.
Në mbështetje të forcave në terren u angazhuan edhe 50 trupa të tjerë nga reparti i Poshnjes, duke e çuar në 100 numrin e efektivëve të Forcave të Armatosura që po punojnë me intensitet deri në shuarjen përfundimtare të tij.
Për shkak të terrenit të vështirë që nuk mundëson ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse, helikopteri Cougar ka ardhur në ndihmë që në orët e para të mëngjesit, duke vijuar gjatë gjithë ditës ndërhyrjen nga ajri", shprehet Peleshi.



