“KOMPANI HAJDUTE”/ Sistemi në “black out”, “shpërthejnë” gazetarët: Çojini ushtrinë “One Albania”-s
Mijëra abonentë të kompanisë celulare ONE Albania janë zgjuar mëngjesin e sotëm me telefona e tyre celularë të mbyllur dhe jashtë funksionit.
Kompania e vënë në akuzë edhe herë të tjera për skandalet me shërbimet dhe për ofertat e rimbushjet, prej orës 06.00 të mëngjesit të kësaj të enjteje janë përballur me mbylljen e pa njoftuar të telefonave të tyre.
Ajo që është e papranueshme për abonentët është fakti se nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga “One Albania” lidhur me situatën dhe është e paqartë nëse sistemi ka hasur probleme.
Por ajo që është fakt është se këtë të enjte çdo numër celulari i këtij operatori është në “black out” total.
Një gjë e tillë konfirmohet edhe në rrjetet sociale, ku kanë shpërthyer revoltat dhe akuzat ndaj kompanisë që disa gazetarë e cilësojnë si “hajdute”.
Një reagim i fortë vjen nga gazetari Isa Myzyraj, i cili i bën thirrje shtetit që të marrë masa, pasi siç thotë ai, nëse do e kishte në dorë do i dërgonte ushtrinë kësaj kompanie.
“Të kisha gjë në dorë, do kisha çuar ushtrinë për ta konfiskuar “One Albania”. Aq alarmante është situata.
Një kompani hajdute që të vjedh +5000 lekë në muaj veç për internet, a thua kam central në telefon.
Dhe të lë pa asnjë komunikim që në mëngjes”, shprehet gazetari Isa Myzyraj.

Ndërkaq gazetari Leonard Olli vjen me një denoncim të situatës nga Korça.
“Nuk e di për qytete të tjera, po në Korçë One.Al e paska pushim sot..... Në fakt nuk e ka keq, ça duhen celularët sot, duhet të çlirohemi nga varësia prej tyre....
Mirë do ishte të kishim ndonjë njoftim si klientë që jemi, por mos merremi me detaje..... Thonë që klienti është mbret.... thonë ama.....”, shprehet me nota ironie gazetari Leonard Olli.

PËRGJIGJA E “ONE ALBANIA”
E vetmja përgjigje e kompanisë përmes numrave që ajo ka vënë në dispozicion për ankesat është një mesazh automatik që të vjen në telefon ku thuhet se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi “eksperienca juaj do të përmirësohet”.
“Përshëndetje. Ju njoftojmë se për të përmirësuar sistemet tona jemi duke kryer disa ndërhyrje teknike, të cila mund të ndikojnë në shërbimet tuaja. Ju kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim që mund të hasni, por ju sigurojmë që shumë shpejt eksperienca juaj do të përmirësohet.
Ju faleminderit për mirëkuptimin!”, thotë kompania.
Por edhe në këtë rast, kjo përgjigje i shkon vetëm për ata që shqetësimin e dërgojnë me aplikacionin “Whatsapp”.




