Nafta e zbuluar në Shpirag, Rama: E cilësisë më të lartë. Nga kjo do të rriten pensionet, investime në arsim e shëndetësi
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dalë në komunikatë për media ku ka folur për zbulimin e naftës në Shpirag. Rama tha se nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë.
Ai tha se përgjigjja përfundimtare për naftën e Shpiragut do të jepet në tetor nga kompania, por shtoi se nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve, investimi do të jetë 3-7 miliardë euro.
"Testi do të fillojë në tetor. Po përgatitet njëkohësisht edhe plani i investimit. Gjithë ajo rezervë për tu nxjerrë sipër duhet të hyjë në infrastrukturën përkatëse, për ta trasportuar dhe për ta nxjerrë në tregun vendas dhe të huaj.
Nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë. është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë. Burimet e naftës që është zbuluar më parë janë burime të një nafte të rëndë që përdoret për bitum apo solar, por nuk është një naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve. Sipas analizave të bëra në laboratorin e Holandës, nafta e zbuluar në Shpirag është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite. Investimi i parashikuar është 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, është 7 miliardë euro”, tha Rama.
Rama deklaroi se impakti i gjithë kësaj zone të re të pashfrytëzuar të potencialit tonë ekonomik do të jetë i jashtëzakonshëm në të gjitha rastet duke iu referuar kërkimeve për naftë në Shpirag, por edhe në fushën e Dumresë. Rama theksoi se është një burim i ri masiv investimi dhe financimi në organizmin e ekonomisë shqiptare.
Sipas tij, përfitimi ekonomik e financiar nga kjo pasuri, do impaktojë pensionet, bilancin e pagesave në Shqipëri; do impaktojë sistemin e arsimit, sistemin e shëndetësisë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë.
“Ajo që është e rëndësishme sot të thuhet, se ndërkohë ne kemi filluar prej një viti punën për konceptimin për ngritjen e fondit sovran të Republikës së Shqipërisë. Vendet që gëzojnë pasuri të tilla natyrore kanë fondet e tyre sovrane që janë fonde që administrojnë këto pasuri. Qëllimi është balancimi i shfrytëzimit aktual të të ardhurave nga rezerva dhe vënia në dispozicion e një pjese të të ardhurave për të ardhmen. Ne jemi në një proces pune konkrete të konsultuar me fondin sovran të Norvegjisë. Fondi sovran do të ketë një profil i cili do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve dhe për balancimin e gjithë barrës së tmerrshme të trashëguar nga e shkuara me parimin etik që kjo pasuri është qoftë e atyre që jetuan e punuan në këtë vend dhe nuk patën pjesën e tyre në të, por qoftë e atyre që lindin sot dhe nuk patën pjesën e tyre. Fondi sovran një pjesë të të ardhurave i vendos për t’i shumëfishuar në tregun ndërkombëtar.
Kemi angazhuar gjitha kontaktet tona dhe me fondet e tjera të Arabisë Saudite, të Azerbajxhanit, të Emirateve. Ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm, i shumë pritur, por nuk është gjithçka, sepse në Shqipëri ka filluar eksplorimi i fushës së Dumresë, ku një tjetër kolos global, kompania italiane Eni është në punë. Dhe aty kemi të dhëna shumë optimiste, por puna është në një stad pak më fillestar, sepse kompania hyri në punë para pandemisë, por pandemia solli një bllokim të gjatë të gjithë procesit. Besoj shumë që impakti i gjithë kësaj zone të re të pashfrytëzuar të potencialit tonë ekonomik do të jetë i jashtëzakonshëm në të gjitha rastet. Ne sot kemi në dispozicion skenarë të ndryshëm. Është një burim i ri masiv investimi dhe financimi në organizmin e ekonomisë shqiptare”, deklaroi Rama .
Ai tha më tej se për shkak të keqadministrimit, keqqeverisjes, keqkuptimit të madh dhe abuzimit historik me burimet tona natyrore, fjala naftë në mendjen e qytetarëve shqiptarë është bërë sinonim i fjalës vjedhje.
“E vërteta është që nga njëra anë nuk është se kemi pasur deri tani ndonjë pasuri të jashtëzakonshme në dispozicion, si vend flas. Burimet e shfrytëzuara në vite kanë qenë burime modeste, të keqpërdorura. Faktikisht koncesionet e bëra në të shkuarën kanë qenë skandaloze, kanë qenë dorëzim total i sovranitetit dhe i të drejtës së popullit për të marrë pjesën e vetë në këtë pasuri te koncesionarë lloj-lloj, por megjithatë edhe kjo pasuri është keqshfrytëzuar.
Ne e kemi luftuar këtë trashëgimi me të gjitha mundësitë që kemi pasur, duke u gjetur para situatave kontraktuale të blinduara dhe të pamundura për t’u axhustuar. Por ama për këto kërkime në këtë territor të fushës së burimeve tona natyrore, ne kemi bërë komplet ndryshim të qasjes së shtetit në këto kontrata dhe kemi vendosur marrëdhënie kontraktuale me kompanitë si SHELL apo si ENI të një niveli ndërkombëtar. Të gjitha duhet të jenë sot në Shqipëri, çdo shqiptar, të bindur se kjo pasuri e madhe është dhe e tija dhe kjo pasuri e madhe do jetë mbështetje për çdonjërin. Nuk e kam fjalën që çdonjëri do marrë një kovë me naftë apo do marrë lekë në dorë, po përfitimi ekonomik e financiar nga kjo pasuri, do impaktojë pensionet, bilancin e pagesave në Shqipëri. Do impaktojë sistemin e arsimit, sistemi ne shëndetësisë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë se ata do jenë përfituesit më të mëdhenj nëse ne do dimë të ndërtojmë si duhet një fond sovran serioz”, deklaroi Rama.
Ndërsa Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku u shpreh se në zonën bregdetare janë 5 zona të rëndësishme naftëmbajtëse.
"Toka është e ndarë në 18 zona. Do duhen hapur mbi 15 puse për të tërhequr materiale. Në zonën detare 5 zona të rëndësishme naftëmbajtëse. Në fillim të muajit tetor do nisë faza e testimit të naftës. Nafta ndodhet në 600 km në thellësi të tokës. Burimet e shfrytëzuara në vite kanë qenë modeste", tha ndër të tjera Balluku.

