Zjarri mbulon rreth 7% të ishullit Tenerife në Spanjë, 250 zjarrfikës në luftë me flakët
Zjarri shkatërrues i pyjeve në ishullin spanjoll të Tenerife nuk është vënë ende nën kontroll, i cili ka prekur më shumë se 7% të ishullit, sipas autoriteteve lokale.
“Zjarri, i cili shpërtheu gjashtë ditë më parë, deri më tani ka perfshirë pothuajse 15 000 hektarë tokë në veri dhe veri-lindje të ishullit në Kanarie”, njoftuan autoritetet.
“Nuk do të jetë e lehtë … por ne shpresojmë që zjarrin ta kemi plotësisht nën kontroll në ditët e ardhshme”, tha Manuel Miranda, ministri rajonal përgjegjës për politikën territoriale.
“Më shumë se 250 zjarrfikës luftuan me flakët dje në mbrëmje”, sipas raporteve zyrtare.
Brigada e zjarrfikësve të Tenerife njoftoi një natë të qetë pa ndonjë incident të veçantë.
Pas agimit, dy duzina avionë zjarrfikës dhe helikopterë u vendosën përsëri në terren.
Sipas autoriteteve, zjarri nuk ka shkatërruar asnjë shtëpi. Gjithashtu nuk ka pasur të plagosur.
Presidentja e Këshillit të Tenerife, Rosa Dávila njoftoi se urdhrat e evakuimit do të vazhdojnë të hiqen gradualisht.
Numri i të evakuuarve u vlerësua në 13 000. Duke qenë se shumica e njerëzve që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre qëndruan me të afërmit dhe miqtë, numri i saktë nuk dihet ende.
Të martën, rreth 1 000 banorë ishin ende në strehimoret emergjente. Zonat turistike në ishullin popullor të pushimeve thuhet se nuk u prekën nga zjarri.
