Zgjedhjet në bashki, demokratët e Kukësit kërkojnë bashkim
Partia Demokratike ka bërë apel që në zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Kukës të dalin me një kandidat të përbashkët. Interesi i demokratëve dhe i gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është dalja me një kandidat të vetëm për bashkinë e Kukësit, thuhet ndër të tjera në njoftimin e partisë demokratike.
Deklarata e PD në Facebook:
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
DEGA KUKËS
18 gusht 2023
Partia Demokratike Dega Kukës rikonfirmon para të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj apelin për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët, bashkimin e tyre në një përfaqësim dinjitoz, për të garuar me një kandidaturë të gjithëpranuar.
Demokratët kanë humbur shumë prej frymës së konfliktit dhe gjuhës së përçarjes. Interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është dalja me një kandidat të vetëm të të gjithë spektrit opozitar për bashkinë Kukës.
Ka ardhur koha që të gjithë demokratët dhe opozitarët, të mos humbin më asnjë shans për shkak të vendosjes së interesit personal mbi atë të demokratëve.
Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin dhe një Parti Demokratike fituese, si e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve.
Partia Demokratike
Dega Kukës


