Athina mbledh krerët e Ballkanit, shmang Ramën, por fton presidentin, Begaj: Ja pse nuk do shkoj!
Shqipëria është e ftuar në nivel presidenti nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në një darkë informale, por Presidenca ka bërë me dije se nuk do të përfaqësohet në këtë takim.
Menjëherë pas publikimit të lajmit Presidenti Begaj ka dhënë edhe shpjegimin e këtij refuzimi.
Ai thotë se arsyeja ka të bëjë me agjendën e tij të paracaktuar më herët.
"Në përgjigje të interesit tuaj ju bëjmë me dije, se më 14 gusht 2023, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i ka derguar një ftesë Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, për të marrë pjesë në një darkë informale, më 21 gusht 2023, në Athinë.
Një ditë më pas, më 15 gusht 2023, Presidenti Begaj në përgjigjen e dërguar, pasi vlerësoi vëmendjen që Kryeministri grek Mitsotakis i kushton zhvillimeve të lidhura me sigurinë e Evropës, shprehu gjithashtu keqardhjen për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët." njofton Presidenca.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i Malit të Zi Jakov Milatoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Borjana do të jenë në Athinë për të marrë pjesë në darkën joformale për zgjerimin që do të mbahet në Athinë.
