Thellohen hetimet për djalin e Biden, çështja do të ndiqet nga një Prokuror i Posaçëm

Në prag të zgjedhjeve presidenciale 2024 në SHBA , Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, njoftoi emërimin e një prokurori të posaçëm në rastin kundër djalit të Presidentit Biden, Hunter Biden.

Me hetimin e aktiviteteve financiare dhe tregtare të Biden aktualisht merret prokurori David Weiss, dhe po ai do të vijojë çështjen, por statusi i tij do të ndryshojë.

“Hetimet kanë arritur në një fazë, ku funksionet e tij të mëtejshme mund të vazhdojnë vetëm me statusin e Prokurorit të Posaçëm dhe ka kërkuar nga unë, që ta emëroj atë në një pozitë të tillë”, u shpreh Garland në një deklaratë të martën.

“Pas shqyrtimit të kërkesës së tij, si dhe rrethanave të jashtëzakonshme që lidhen rastin, kam dalë në përfundimin që është në interes të publikut, ta emëroj atë, konkludoi Prokurori I përgjithshëm, ndërsa avokati I Hunder Biden nuk ka pranuar të bëjë komente mbi këtë.

Prokurori i Posaçëm ka të drejtën e ndjekjes penale nëse është e nevojshme për një çështje, të cilën Departamenti i Drejtësisë konsideron se ka një konflikt po ta ndjekë vetë, ose ku konsiderohet se është në interesin publik që dikush jashtë qeverisë të marrë përgjegjësinë. 

David Weiss u emërua nga ish-presidenti Donald Trump për të shërbyer si prokuror në Dellauer, në vitin 2017 dhe është mbajtur në këtë pozitë pas ardhjes së Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë, për të vazhduar me hetimin e Hunter Biden-it.

Ai ka shërbyer si prokuror për shumë vite, duke hetuar krime të dhunshme dhe mashtrime, ka punuar edhe si avokat privat në kohën kur nuk ishte i angazhuar si prokuror.

Me emërimin si prokuror i posaçëm, Weiss do të ketë mandat më të gjerë për një hetim të plotë në drejtime të ndryshme në lidhje me çështjen e Hunder Biden.