Zgjedhjet në Kukës, PS dhe Rithemelimi do përballen sërish, PD zyrtare në pikëpyetje

Partia socialiste dhe Rithemelimi do të përballen sërish në 24 shtator për bashkinë e Kukësit. Ndonëse ende nuk i kanë nxjerrë kandidatët, në pikëpyetje mbetet PD-ja zyrtare me në krye Lulzim Bashën i cili nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen për garën e 24 shtatorit.

 Pas dekretimit të datës së zgjedhjeve në bashkinë Kukës, partitë politike do të nisin dhe punën për kandidatët dhe fushatën që do të mbahet deri në ditën e votimit. 24 shtatori do të jetë dita vendimtare për zgjedhjen e kryebashkiakut në Kukës, ku brenda dy javëve të ardhshme pritet dhe shpallja e kandidatëve.

Partia Socialiste, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut Safet Gjici pritet të nxjerrin një emër të ri për garën e 24 shtatorit. Ndonëse ende nuk ka asgjë të konfirmuar, një emër i përfolur për të përfaqësuar kampin rozë është Ali Hallaçi, ish-prefekti i qarkut të Kukësit i cili u lirua nga detyra në 19 korrik të këtij viti.

Një situatë ndryshe pasqyrohet në kampin opozitar. Sali Berisha të premten konfirmoi dhe pjesëmarrjen e krahut të tij politik në zgjedhjet e bashkisë Kukës, ndonëse ende nuk ka një emër për zgjedhjet që do të ripërsëriten në Kukës. Admir Sinamati i cili kandidoi në zgjedhjet e 14 majit, deri më tani përflitet se do të futet sërish në garë.

Ndryshme nga rilindja dhe rithemelimi, PD zyrtare është e heshtur sa i përket mundësisë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 24 shtatorit. Kreu i demokratëve Lulzim Basha deri më tani, nuk e ka dhënë dritën jeshile për tu përballur përpara Edi Ramës dhe Sali Berishës në garën për kryetar bashkie. Ndërkohë në zgjedhjet e 14 majit, PD zyrtare nuk kishte kandidatë për kryebashkiak në Kukës.