Demokratët përkujtojnë poetin, Berisha: Havzi Nela, një tribun lirie, por edhe një simbol i ndritur i mendimit intelektual

Lavdije Nela, bashkëshortja e të poetit të ekzekutuar Havzi Nela ka marrë fjalën e para sot në takimin përkujtimor që Partia Demokratike ka organizuar në përkujtim të 35-vjetorit të ekzekutimit të Nelës nga regjimi diktatorial.

Në takimin që u zhvillua nën pakujdesjen e z. Sali Berisha, znj. Nela ngriti problemet që ende nuk kanë reshtur për familjen e saj pavarësisht këtyre tri dekadave demokraci, te mungesa e mbështetjes, tek dhënia e drejtësisë dhe sidomos, ajo e vuri theksin tek fjala se në krye të shtetit, qeverisë, në parlament, sot vazhdojnë të qeverisin bijtë e bllokmenëve të dikurshëm.

Demokratët përkujtojnë poetin, Berisha: Havzi Nela, një
Ne foto: Lavdije Nela

“Diktatura enveriste, staliniste, marksiste leniniste, gjakpirëse e pamëshirshme për jetën e poetit, për fatin e poetit, për vuajtjet e mia që vazhdojnë akoma edhe kësaj dite sot, që sot jam edhe pa shtëpi, pa rrogë, pa asgjë.

Vetëm falënderoj zotin që kam jetën që më ka dhënë që t’i dëshmoj sot se asnjëherë nuk jam shprehur, se e kam dashur shumë lirinë, demokracinë, kam sakrifikuar rininë time, jetën time dhe sot, 35 vite, jam duke jetuar në vetmi.

Asnjë ndihmë nuk kemi nga askush! Shteti ynë nuk e hap derën! Nuk na pranon. Ne të burgosurit politikë, të përndjekurit, nuk na duan ata. Ne e kemi “damkën e zezë” mu në ballë sepse drejtësia nuk vazhdon ndaj nesh. Kur nuk shkuan kriminelët para drejtësisë, mua, plaga ime, m’u bë e rëndë; të lehtësohej pak sikur të shkonin ata.

Dha urdhër Ramiz Alia, Fehmi Avdiu, Liri Robo, Halim Hoxha kryetar i Gjykatës së Kukësit, Hekuran Isai dhe shumë të tjerë janë me emra e mbiemra e mbi të gjitha ata vazhdojnë, djemtë e tyre...Nuk e di si i lejon parlamenti ynë që është në dorë të Nikollës dhe paraardhësit e saj, si kanë qenë?!

Si i lejon djemtë e kriminelit, të bllokmenëvë, të punojnë sot në parlament, në qeveri, ministra, kudo?! Në ushtri, shëndetësi, polici e sidomos drejtësinë e kanë kapur djemtë e kriminelëve, ata janë djemtë e kriminelëve prandaj i mban Edi Rama në drejtësi.

Pse nuk na japin drejtësi neve?! Pse nuk i çojnë kriminelët? Pse nuk ua hapin dosjet që djemtë e tyre të mos jenë në parlament, në asnjë vend?! Sidomos për Edi Ramën, kryeministrin tonë shqiptar që e di. Babai i tij kryexhelat dhe shumë të tjerë, djemtë e tyre sot na sundojnë Shqipërinë. Pse, nuk ka Shqipëria djem e vajza, nuk ka burra të mençur?!

Unë nuk e di si e keni ju që jeni në parlament që bëni ligjet e Ramës, ai duhet të japë dorëheqjen! Ai duhet të japë dorëheqjen nga skena publike dhe politike!”, tha znj. Nela.

Nga ana e tij, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh Havzi Nela një simbol i ndritur, një tribun lirie, por edhe një simbol i ndritur i mendimit intelektual, fuqisë së poezisë.

"Havzi Nela dhe ju të tjerët që jeni sot këtu, në një kohë të tillë, shumë të ngjashme, identike, burgu ishte i sigurtë, por nëse tejkaloheshin edhe me fjalë, disa standarde që diktatura i dënonte me dënim kapital, kishte dhe dënim kapital.

Në këtë kontekst, Havzi Nela ishte një gjeni i kurajës njerëzore. Në udhëtimin e një intelektuali mes konformizmit dhe qëndresës ai zgjodhi qëndresën dhe qëndroi i pamposhtur në çdo rrethanë.

Havzi Nela, është një simbol i ndritur, është një simbol nga më të arrirët në historinë e lirisë, të mendimit të lirë, dhe është një poet universal. Poetët, shkrimtarët kanë gjithmonë dimensionin e tyre universal.

I gjithë dimensioni universal i Havzi Nelës ishte dinjiteti dhe liria e kombit, dinjiteti njerëzor. Ishte dhe Kosova. Në kohën e Havzi Nelës, Kosova ishte e ndaluar.

Unë linda dhe u rrita në Tropojë, por librat e mi flisnin për Mongolinë dhe për Kosovën, asnjë fjalë. E ndaluar, nuk kishte fjalë. Fatmirësisht që familjarët nga mëngjesi në darkë flisnin vetëm për Kosovën, por Kosova ishte e ndaluar.

Havzi Nela i kushton asaj mijëra vargje. Në këtë kontekst ai është një simbol i ndritur, një tribun lirie, por edhe një simbol i ndritur i mendimit intelektual, fuqisë së poezisë.

Elegjia e tij, ‘Ejani të vajtojmë Shqipërinë’ është një nga elegjitë më të bukura të letrave tona. E tillë është edhe ‘Saharaja’ e Vilson Blloshmit.

Ajo që të bën përshtypje është se tek sinteza që i bëjnë, godasin me guxim dhe të dy e paguan me jetë, të gjitha aspektet e atij regjimi. Izolimin total, mungesën e lirive. Havzi Nela është gjeni guximi", u shpreh Berisha.