Zëvendësministri i Brendshëm: E ke mesataren mbi 8? Bëhu pjesë e Policisë së Shtetit
Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u ka bërë thirrje të rinjve që kanë mbyllur studimet e larta me mesatare mbi 8, të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
Lamallari, përmes rrjeteve sociale, duke kujtuar se janë hapur aplikimet për 100 vende të lira, nënvizon se kush ka përfunduar për ekonomik, juridik apo IT me mesatare mbi 8 mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
“Shqipërisë i duhet një polici e standardeve më të mira europiane. A ke përfunduar studimet në juridik, ekonomik, IT dhe ke një mesatare mbi? Eja dhe bëhu pjesë e Policisë së Shtetit”, bën të ditur Lamallari.
“Duke u bërë oficer policie ju keni mundësinë të zhvilloheni profesionalisht dhe personalisht si dhe të bëni diferencë pozitive në komunitetin tuaj. Ju do të mbroni rendin publik, parandaloni dhe hetoni krimin. Është një detyrë e rëndësishme publike, shumë sfiduese, e cila ju jep mundësinë të shikoni impaktin direkt të punës tuaj”, tha Lamallari.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit njoftuan javën e shkuar se, aplikimet fillojnë më datë 10 gusht 2023 dhe përfundojnë më datë 30 gusht 2023. Aplikimet bëhen pranë drejtorive vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Kuotat e pranimit në Akademinë e Sigurisë, të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve të arsimit të lartë, në shkencat juridike, ekonomike ose kompjuterike, janë 100 dhe janë të ndara sipas nevojave të strukturave të Policisë në nivel vendor në drejtoritë respektive: 17 kuota në qarkun Korçë; 5 kuota në qarkun Berat; 8 kuota në qarkun Fier; 13 kuota në qarkun Vlorë; 16 kuota në qarkun Gjirokastër; 13 kuota në qarkun Shkodër; 16 kuota në qarkun Kukës; 12 kuota në qarkun Dibër.
Pas përfundimit të konkurrimit, renditja e aplikantëve fitues sipas rezultateve të arritura do të bëhet në nivel qarku ku ata kanë aplikuar, në bazë të kuotave të shpallura për konkurrim.
