Kapen me 47 mijë euro në Kakavijë, greku dhe shqiptari po tentonin t'i nxirrnin pa i deklaruar
Janë goditur dy raste të mos deklarimit të parave në Kakavijë. Janë sekuestruar në total 47 mijë euro.
Nën hetim janë vënë një grek dhe një shqiptar, pasi nuk i deklaruan në kufi paratë. Greku po tentonte të nxirrtë 30 mijë euro nga Shqipëria pa i deklaruar.
Ndërsa Shqiptari po tentonte të nxirrte 17 mijë euro nga Shqipëria pa i deklaruar.
Njoftimi i policise:
PKK Kakavije/Angazhim maksimal i shërbimeve të Policisë Kufitare, për të menaxhuar fluksin në hyrje/dalje, si dhe për të parandaluar dhe për të goditur krimet kufitare.
Goditen në dalje të RSh-së, 2 raste të mosdeklarimit të të hollave në PKK, sekuestrohen gjithsej 47 000 euro.
Procedohen penalisht një shtetas grek dhe një shtetas shqiptar, të cilët i kishin fshehur paratë, në automjet ose në çantë.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas atij për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, janë konstatuar dhe goditur 2 raste të mosdeklarimit të të hollave në këtë PKK. Në bazë të analizave të riskut, në dalje të vendit, u kaluan në vijë të dytë:
-Automjeti me drejtues shtetasin grek V. P., ku gjatë kontrolleve të imtësishme, u gjetën të fshehura 30 000 euro që ky shtetas tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar konfrom ligjeve;
-Shtetasi A. J. dhe gjatë kontrollit në çantën e tij, u gjetën 17 000 euro që ky shtetas tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar konfrom ligjeve.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. P., 60 vjeç, banues në Greqi dhe A. J., 53 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe u sekuestruan shumat e parave.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

