Sanksionet e reja britanike shënjestrojnë bizneset që ofrojnë ndihmë ushtarake për Rusinë
Britania e Madhe tha se po planifikon 25 sanksione të reja ndaj individëve dhe bizneseve që mbështesin presidentin rus, Vladimir Putin.
Ministri i Jashtëm James Cleverly tha se plani synon të zvogëlojë më tej arsenalin rus dhe sanksionojë ata që ndihmojnë pushtimin e paligjshëm të Ukrainës.
“Subjektet e sanksionuara përfshijnë kompani me bazë jashtë Rusisë, por që thuhet se furnizojnë dronë dhe mikroelektronikë për industrinë e mbrojtjes së Putinit”, tha Ministria e Jashtme.
“Tre kompani ruse që operojnë në sektorin e elektronikës janë sanksionuar gjithashtu për rolin e tyre në prokurimin e mikroelektronikës perëndimore”, shtoi departamenti.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimeve.
Ato të shënjestruara nga veprimi i fundit i BM përfshijnë dy biznese me bazë në Turqi që thuhet se eksportojnë mikroelektronikë në Rusi, një furnizues i dronëve dhe komponentëve të dronëve me bazë në Dubai; dhe një shtetas sllovak që thuhet se është përfshirë në një tentativë për marrëveshje armësh midis Koresë së Veriut dhe Rusisë.
Veprime të mëtejshme janë marrë gjithashtu në përgjigje të mbështetjes nga Irani dhe Bjellorusia për ushtrinë ruse.
Zyra e Jashtme tha se sanksionet përfshijnë individë dhe subjekte iraniane të përfshirë në kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot për Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike dhe organizatat e mbrojtjes bjelloruse të lidhura me prodhimin e teknologjisë ushtarake për regjimin bjellorus.
