“Bletët e mia janë bërë agresive, gjumë s’flemë nga bombardimet ruse”, rrëfimet e çiftit të moshuar që s’pranuan të iknin nga zona e luftës

Zëri i kohëpaskohshëm i një droni përzihet me gumëzhimën e bletëve, por as dronët e as gjëmimet e shkrepjes së njëpasnjëshme të artilerisë ukrainase nga një kopsht i afërt nuk duket se e shqetësojnë Leonidin.

Ai është plotësisht i përqendruar në punën e vet. Ai i nxjerr një nga një kornizat nga 14 kosheret e tij të bletëve. Me kujdes, ai i shkund bletët nga hualli i mjaltës dhe i ekzaminon ato.

“Ky është një vit i keq për mjaltin”, tha ai. “Epo, as viti i kaluar nuk ishte i mirë. Është luftë. Nuk mund t’i sjell kosheret në fusha, siç bëja dikur. Këtu, ato nuk kanë lule mjaftueshëm për të fluturuar në to, por është më sigurt për bletët e mia”. 

Ai e shikon një koshere e cilat ende e ka një plumb të ngulur në kulmin e saj. Buzët e tij tkurren duke lëshuar një ton të hollë hidhërimi teksa thotë: “Të paktën, kjo është ajo çka do të doja të mendoja”.

Shtëpia ku jeton Tarasov me bashkëshorten e vet, Nadia, është vetëm dy kilometra larg pozicioneve ruse. Mbetjet e raketave janë të shpërndara përreth pemishtes, bashkë me plumbat, copëzat dhe gëzhojat nga municioni i djegur ndezës.

Të gjitha këto janë mbetje të luftimeve që duket se kurrë nuk do të marrin fund. Çiftit të moshuar iu kërkua të largohej, por nuk pranoi.

“Ne nuk lëvizim vendi. Siç e shoh unë, lufta e vret jetën, dhe ne duhet të qëndrojmë këtu për ta ruajtur atë. Ku do të shkonin bletët e mia, sikur të largohesha unë?” tha Tarasov, teksa i sjell brenda kornizat e kosheres tek nxjerrësi i tij – një makinë gjysmë shekulli e vjetër.

“Isha me fat që e gjeta këtë nxjerrës dore. Ato që i kisha punonin vetëm me rrymë, dhe ato janë të padobishme tani”, tha ai. Banorët e Avdijivkës jetojnë pa rrymë, ujë të pijshëm apo gaz tash e një vit.

“Jeta është e vështirë, po ne mësohemi me të. Ne e ndihmojmë njëri-tjetrin këtu. Nuk ka mjaft njerëz që unë t’ua shes mjaltin tim, por unë e grumbulloj ata gjithsesi. Nëse nuk mund ta shes, ua jap fqinjëve të mi në dimër”, theksoi ai.

“Unë jam bletar, dhe jam këtu për t’u kujdesur për bletët e mia. Edhe ato kujdesen për mua. Ato ma ëmbëlsojnë jetën me mjaltë, dhe unë do të jem këtu me to deri në fund”, këmbënguli ai.