Plas sherri në Lezhë/ Knfliktohen fizikisht tre persona, mbetet i lënduar qytetari nga Kosova

Konfliktohen fizikisht dhe me mjete të forta te një karburant, duke i shkaktuar njëri-tjetrit dëmtime fizike si dhe duke dëmtuar edhe ambientin përreth, shoqërohen nga policia të dyja palët.

Në ambientet e një karburanti në afërsi të Kryqëzimit të Tales, në aksin rrugor Lezhë – Milot, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, janë përfshirë në konflikt fizik dhe me mjete të forta, shtetasi kosovar M. M. 37 vjeç me dy shtetas shqiptarë (punonjës te karburanti) N. S. 61 vjeç banues në Lezhë dhe K. R. 52 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.

Si pasojë e konfliktit ka mbetur i dëmtuar fizikisht shtetasi kosovar M. M. i cili është dërguar në spital për ndihmë mjekësore i shoqëruar nga patrulla e policisë, ndërsa shtetasit N. S. dhe K. R. janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë.

Gjithashtu, gjatë konfliktit, nga këta shtetas janë dëmtuar edhe ambientet e zyrës së qëndrimit të punonjësve të karburantit si dhe automjeti i shtetasit kosovar.

Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve dhe sqarimit të situatës, do të jepet një njoftim i dytë sqarues.