Dhunoi familjen Kaçi në Hamallaj me armë dhe shkopinj bejzbolli, arrestohet gardisti pjesë e grupit të shoqërimit të Lindita Nikollës
Arrestohet efektivi i Gardës së Republikës, Martin Nikolla, pjesë e grupit të shoqërimit të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, lidhur me konfliktin e ndodhur gjatë ditës së sotme në Hamallaj të Durrësit mes dy familjeve, Nikolla dhe Kaçi.
Mes personave të përfshirë në dhunën shtazarake ndaj anëtarëve të familjes Kaçi është edhe Martin Nikolla, punonjës i Gardës së Republikës dhe pjesë e grupit të shoqërimit të numrit 2 të shtetit, i cili ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit.
"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) nën drejtimin e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike” punonjësin e Gardës së Republikës Inspektor M. N., pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt me sende të forta dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ka qenë në detyrë, duke kryer veprime të kundërligjshme.
Veprimet proceduriale u kryen mbi bazën e njoftimit për një ngjarje me armë të ndodhur sot në fshatin Hamallaj Durrës, ku punonjësi i Gardës së Republikës ka kryer veprime antiligjore, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime me dashje të disa shtetasve. Në përfundim të veprimeve të para hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, u krye “Arrestimi në flagrancë” i shtetasit M. N., 50 vjeç, me detyrë N/Oficer Sigurie në Grupet e Shoqërimit, pranë Gardës së Republikës të Shqipërisë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90", njofton AMP.



