Dhuna ndaj familjes Kaçi, reagon Lindita Nikolla: Ngjarja në Hamallaj dhe përfshirja e efektivit të Gardës, e dënueshme

Kryetrarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka reaguar lidhur me konfliktin e ndodhur gjatë ditës së sotme në Hamallaj të Durrësit mes dy familjeve, Nikolla dhe Kaçi, ku mes personave të përfshirë është edhe Martin Nikolla, punonjës i Gardës së Republikës dhe pjesë e grupit të shoqërimit të numrit 2 të shtetit, i cili ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit.

Përmes rrjeteve sociale, kryeparlamentarja Nikolla thotë se si ngjarja në vetvete ashtu dhe përfshirja e efektivit të Gardës është e dënueshme.

“Ngjarja e ndodhur sot në Hamallaj, ku është përfshirë efektivi i Gardës  së Republikës (që nga viti 2006) Martin Nikolli është e dënueshme.

Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot.

Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji”, shprehet në reagimin e saj kryeparlamentarja Lindita Nikolla.