Arshi Pipa, disidenti që u arratist prej regjimit komunist
Më 28 korrik të vitit 1920 lindi në Shkodër, Arshi Pipa. Ka qenë arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog.
Ishte i biri Mustafa Nuriut dhe Hatixhesë, me prejardhje nga Libohova por të vendosur në Shkodër.
Mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje, të parat te Kolegji Saverian e më tej për 8 vjet në Gjimnazin e Shkodrës në degën klasike, që e përfundoi më 1938.
Me përkujdesjen e të atit për edukatën fetare, ndiqte mësime në medrese pasditeve.
Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences.
U kthye në Shqipëri dhe nga viti 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha lëndën e filozofisë në licetë shtetërorë të Tiranës, Shkodrës dhe të Durrësit.
Kur Lidhja e Shkrimtarëve nisi botimin e organit “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues.
Mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, drejtuar nga Skënder Luarasi. Burgoset në 1946-ën nga Pushteti Popullor për veprimtari antishtetërore.
Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të verës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen.
Vendoset në Sarajevë gjer më 1959 e më pas në Amerikë ku ka jetuar e punuar një kohë të gjatë. Vdiq në Uashington, më 20 korrik të vitit 1997.




