Nesër, përkujtohet beteja e Qerbelasë, Samarxhiu: Kujtohet rënia historike e 72 dëshmorëve me në krye Imam Hysenin
Besimtarët bektashinj në të gjithë Shqipërinë do të përkujtojnë nesër “Ditën e Ashures”, ku pritet pritet të organizohet edhe një ceremoni e veçantë në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë.
Gazetari i mirënjohur dhe i dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ferdinand Samarxhi në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” shpjegoi domethënien e kësaj dite.
“Kjo është një ditë e shënuar për besimtarët bektashinj pasi kujtohet rënia historike e 72 dëshmorëve në Qerbela me në krye Imam Hysenin me betejën e madhe të Qerbelasë”, shpjegoi Samarxhiu.
Sa i përket aktiviteteve të nesërme të organizuara nga Kryegjyshata Botërore, Samarxhiu tha se janë të ftuar këngëtarët e mëdhenj si Kastriot Tusha, apo dhe artistë të tjerë. Ndrësa shtoi se pritet që Kryegjyshata të vizitohet jo vetëm nga besimtarët, por edhe nga personalitete të vendit si politikanë, ambasadorë, përfaqësues të besimeve të tjera në Shqipëri, etj.
“Në fjalën e tij të rastit Kryegjyshi Botëror Haxhi Dedej Edmond Brahimaj do të përcjellë mesazhin e paqes, lutjes dhe dashurisë”, u shpreh gazetari “Mjeshtër i Madh” Ferdinand Samarxhi.
Ceremonia
Kjo ditë nga bektashinjtë ka nisur të kremtohet në Shqipëri që pas rënies së regjimit komunist dhe rihapjes së institucioneve të besimit në vend, për të vazhduar pa ndërprerë për vite me radhë.
Ceremonia në nder të kësaj dite, për çdo vit fillon me fjalën e Kryegjyshit Botëror, Haxhi Baba Edmond Brahimaj.
Pas përfundimit të ceremonisë së hapjes, besimtarët sipas traditës nisin vizitën në selinë e Kryegjyshatës, ku të gjithë në radhë presin të takojnë Baba Mondin, apo edhe klerikë të tjerë, të bëjnë fotografi si kujtim i kësaj dite të shënuar dhe më pas provojnë ashuren e përgatitur për ta.
Besimtarët janë të shumtë në numër dhe do të vijnë nga të gjithë qytetet e Shqipërisë.
Për të uruar besimtarët dhe drejtuesit e komunitetit Bektashinj, në selinë e Kryegjyshatës, siç është bërë traditë, pothuajse çdo vit shkojnë për të përcjellë urimet e tyre, personalitete të larta të shtetit shqiptar, përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri, ambasadorë dhe shumë personalitete të tjera nga sfera të ndryshme.
Dita e Ashures
Dita e Ashures, përkon me 10-ditëshin e parë të muajit Muharrem në kalendarin arab. Origjina e festës nis nga Iraku, ku në fushën e Qerbelasë, rreth 1400 vjet më parë u masakruan nipi i profetit Muhammed, Imam Huseini, së bashku me 72 shehid (dëshmorë).
Për bektashinjtë Dita e Ashures konsiderohet si përshpirtja e Imam Hysenit, i cili u rrethua në Qerbela, së bashku me 72 shokët e tij.
Dita e Ashures është dita e fundit e Matemit, ku edhe në Shqipëri kjo ditë përkujtimore nga bektashinjtë kremtohet në ditën e dhjetë të tij. Kjo periudhë kohore nënkupton për besimtarët bektashinj zi, në kujtim të këtyre dëshmorëve që humbën jetën në Qerbela.
Për 10 ditë me radhë, besimtarët bektashianë iu përmbahen disa rregullave, si: ndalohet së ngrëni mishi, qumështi, vezët, ëmbëlsirat, çdo gjë që buron nga qeniet me shpirt, dhe lejohet çdo produkt tjetër që prodhohet nga toka, si fruta, zarzavate dhe vaj ulliri, etj, ndërsa kafeja pihet pa sheqer.
Gjatë tre ditëve të para nuk përdoren në tryezë lugët, piruni apo thika. Po ashtu, për dhjetë ditë bektashinjtë nuk pinë ujë, nuk japin dorën, nuk futen në një shtëpi të re dhe nuk marrin pjesë në gëzime.
Gjatë këtyre ditëve, klerikët mblidhen në xhami, apo teqe, në përkujtim të dëshmorëve të parë të Qerbelasë.
- Përgatitja dhe përbërësit e Ashures
Gjatë regjimit komunist, me ndalimin e të gjitha besimeve fetare, besimtarët ishin të ndaluar të përkujtonin ditën e “Ashures”, qoftë edhe në shtëpi. Por të moshuarit rrëfejnë se fshehurazi kanë arritur ta përgatitin këtë ëmbëlsirë tradicionale.
Procesi i përgatitjes së ashures fillon një ditë përpara se të kujtohet kjo ditë, ku tregohet një kujdes i veçantë që të përgatitet një sasi e mjaftueshme për besimtarët dhe vizitorët.
Dita e dhjetë, që është dita e fundit e muajit Muharrem, është edhe dita e fundit në të cilën mbahet zi për dëshmorët e Qerbelasë.
Në mbrëmje besimtarët bektashinj, në teqe, mblidhen dhe hedhin grurin në kazanë të mëdhenj, për të përgatitur ashuren, për besimtarët dhe njerëzit e tjerë që vizitojnë teqetë.
Sipas traditës, të gjithë tregojnë kujdes, ndërsa për të ftuarit, mysafirët dhe besimtarët shtrohet një darkë e madhe, në Selinë e Kryegjyshatës, por edhe në teqetë e tjera të vendit.
Për të plotësuar detyrimin dhe simbolikën që ka kjo ëmbëlsirë, ashurja duhet të përbëhet nga 72 lloje produktesh, ndërsa në mungesë të tyre, hidhet mjaltë në sasi më të mëdha.
Ashurja përgatitet me ujë, grurë, misër, fasule, thjerrëza, arra, bajame, lajthi, fiq dhe rrush të thatë, shegë, banane, kanellë dhe në fund mjaltë.
Ndërsa sipas traditës dhe si obligim ndaj dëshmorëve të Qerbelasë, çdo besimtar bektashi ka për detyrim të përgatisë ashure në shtëpi. Ndërsa si simbolikë të saj, kjo ditë ka edhe ofrimin e ëmbëlsirës dhe kujdesin që duhet treguar për të varfërit.
Pasi përgatitet ashurja, shtrohet një darkë për mysafirët dhe besimtarët.
Në ceremoninë e fundit këndohen lutje dhe rite të tjera fetare, ku kjo lutje nga besimtarët quhet lutja e bukës.
Pas përfundimit të darkës, në orë të vona të natës fillon hedhja e ashures nëpër gota të vogla, ku do të te jetë e gatshme për t’u shpërndarë.
Të nesërmen e kësaj dite bëhet ceremonia dhe ashurja shpërndahet për besimtarët.
Ndërkohë, që për besimtarët, por jo vetëm, ashurja vazhdon të shpërndahet edhe dy-tre ditë pas përfundimit të festës.










