Përkujtohet mësuesi dhe komiti Bajo Topulli

Më 24 korrik 1930, u nda nga jeta atdhetari, mësuesi dhe ish-kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Bajo Topulli (Bajram Fehmi Topulli).

U lind në Gjirokastër në vitin 1868. Është vëllai i veprimtarit të çështjes kombëtare, kapedan Çerçiz Topullit.

Gjatë shkollimit u njoh me atdhetarë të ndryshëm shqiptarë, si: Jani Vreto, Naim Frashëri, Rauf bej Leskoviku e shumë të tjerë, që ndikuan në formimin e tij jo vetëm intelektual, por edhe si patriot.

Fillimi i shekullit të XX-të do ta gjente atë në rolin e mësuesit në Manastir e në Selanik, ku nën ndihmesën e tij të drejtpërdrejtë do të hapej komiteti “Për lirinë e Shqipërisë”, si edhe do të ishte anëtar i “Komisionit të Alfabetit” (përkrahës i alfabetit latin).

Bajon do ta ndeshim jo vetëm si mësues, por edhe në rolin e komitit nën emrin “Garibaldi i Shqipërisë”, i cili merr hak duke vrarë Dhespotin e Korçës, Fotin për të larë gjakun e Papa Kristo Negovanit.

Çeta e tij u krijua në teqen bektashie të Melçanit dhe do të ndërmerrte një sërë operacionesh në zonën e Korçës deri në ditën e Pavarësisë.

Pas Pavarësisë e gjejmë në Turqi nën shërbimin e Ataturkut në disa funksione qeveritare. Në vitin 1925 ai kthehet në Shqipëri, ku pas pesë vitesh do të ndërronte jetë në Sarandë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një foto të Topullit dhe një deklaratë mbi angazhimin e tij atdhetar. /ATSH/