Thesaret e Qendrës “Sotir Kolea”, ish-aneksi i Bibliotekës Kombëtare i kthehet publikut

Kryeministrin Edi Rama së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti, drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë dhe institucioneve të kulturës, shkencës e arsimit, vizituan sot Qendrën “Sotir Kolea”.

“E mbuluar nga pluhuri i kohës, e shndërruar thuajse në një depo librash të ndaluar, konfiskuar intelektualëve të dënuar gjatë diktaturës, kjo hapësirë e njohur si ish-Aneksi i Bibliotekës Kombëtare, sot Qendra “Sotir Kolea”, u kthye publikut” është shprehur ministrja Margariti.

Kjo qendër dedikuar librit është rikonstruktuar dhe kthyer në jetë falë investimit të Qeverisë Shqiptare dhe pajisjes me aparatura moderne me mbështetjen e Bashkimit Europian përmes programit EU4Culture.

Thesaret e Qendrës “Sotir Kolea”, pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, tani ruhen në kushte të sigurta dhe mund të lexohen nga të gjithë dashamirësit e librave.

Programi EU4Culture i Bashkimit Europian, ka ofruar pajisje moderne që do të ndihmojnë ndjeshëm në ruajtjen e librave dhe leximin e tyre online. “Ne krenohemi me kontributin tonë përmes programit EU4Culture”, shkruhet në një postim të misionit të BE në Shqipëri.

Puna e personelit në Qendrën “Sotir Kolea” është lehtësuar dhe tashmë mund të përpunojnë më shumë libra. Kjo qendër ka përfituar pasjisje me vlerë 670 000 euro përmes programit EU4Culture.

Ndihma konsiston në servera të rinj, libra, skanera barkodi, laptopë, tabletë, sistem sigurie, pastrues pluhuri, heqës lagështie dhe aciditeti, pajisje për dezinfektimin e librave e pajisje të tjera të cilat ndihmojnë bibliotekën për të ruajtur, trajtuar e pastruar fondin e saj të librave të rrallë.

Një pjesë e këtyre pajisjeve janë unike në vendin tonë. Tashmë një pjesë e konsiderueshme e punës kryhet në mënyrë të automatizuar.