Zef Preçi: Zhvlerësimi i euros nga hyrja e parave me origjinë informale dhe kriminale në ekonomi që po investohen në ndërtime

Euro shënoi pikën më të ulët në histori përballë lekut! Të martën e 18 korrikut një euro u këmbye me 100 lekë. Të gjitha monedhat e tjera të huaja panë gjithashtu rënie drastike, dhe kjo për faktin se Shqipëria ka si referencë monedhe të huaj pikërisht euron.

Eksperti Zef Preçi në një prononcim për “Ora News” thotë se situata është shqetësuese, ndërsa shprehet se vendi duhet të ketë një qasje të re kundrejt kursit të këmbimit!

Zef Preçi: “Unë i kam ndjekur raportimet e institucioneve zyrtarem kryesisht bankës së Shqipërisë që është dhe përgjegjëse për politikën monetare.

Po kështu, edhe raportimet e Ministrisë së Financave sa i takon problemeve fiskale.

E vërteta është që rrënjët e çmimit, mbi-çmimit apo nën-çmimit të monedhës, pra të një monedhe kombëtare, apo të huaj dhe të fortë ndërkombëtare siç është euro, duhen kërkuar dhe të gjenden në mekanizmin e kërkesë – ofertës.

Çka do të thotë që një monedhë, e cila është një mall si çdo mall tjetër, ka një çmim i cili kuotohet në treg.

Dhe Shqipëria në ato arritjet e mira në këto 30 vitet e fundit është kursi luhatës, apo i lirë i këmbimit të monedhës tonë kombëtare lekut me monedhat e huaja”.

Preçi tregon se kjo situatë ndikon direkt negativisht tek qytetarët dhe është e shkaktuar nga futja e parave me origjinë informale dhe kriminale në ekonominë tonë kombëtare.

Zef Preçi: “Në të njëjtën kohë, lëvizja në kahin e kundërt, pra mbi-çmimi i monedhës tonë kombëtare që është një fenomen i dukshëm këto 4-5 vitet e fundit shpjegohet me pompimin e parave me origjinë informale dhe kriminale në ekonominë tonë kombëtare.

Kjo kryesisht përmes parave me origjinë kriminale.

Kjo do të thotë se imazhi i një Shqipërie që po zhvillohet, disa miliona metra katrorë leje ndërtimit të dhëna në Tiranë, apo vende të tjera, ndihmojnë për të shtuar të ardhurat e bashkisë, shton disa vende pune, por deformojnë dukshëm tregjet, dhe ushqejnë të pasuruarit pa shumë punë, klanet kriminale të pastrojnë paratë e tyre, apo politikanët e korruptuar të shtojnë pasuritë e tyre”.

Zef Preçi, shprehet se qeveria dhe autoritetet e tjera përfshirë Bankën e Shqipërisë, mund dhe duhet të ndërhyjnë kur situata po bëhet akoma më e rëndë, pasi ekonomia vendase po cënohet!