Eksportet drejt Greqisë rritje mbi 2 miliardë lekë

Eksportet shqiptare drejt Greqisë gjatë gjysmës së parë të vitit, shënuan rritje me mbi 2 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, INSTAT, eksportet gjatë periudhës janar-qershor, në vlerë llogariten 16.1 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2022-shit ishin 13.9 miliardë lekë.

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Greqinë gjatë kësaj periudhe zunë 6.8 % të totalit të të gjithë tregtisë. Në vlerë ato arritën mbi 45.5 miliardë lekë.

Ndryshe nga eksportet importet e mallrave nga Greqia në Shqipëri, gjatë 6-mujorit shënuan rënie. Ato llogariten për periudhën 29.3 miliardë lekë, kur të të njëjtën periudhë, një vit më parë (2022) u importuan mallra në vlerë 33.3 miliardë lekë.

Në vlerën e mallrave të eksportuara drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” në vlerën 5.8 miliardë lekë dhe grupi “tekstile dhe këpucë”.

Eksporti i kësaj kategorie arriti për këtë periudhë vlerën e mbi 3.6 miliardë lekëve.