A ishte i shkurtër Napoleon Bonaparte?

Historia ndërtohet mbi fakte e dëshmi, por ajo ndikohet shpesh nga mite, legjenda e falsitete, mbi realitete të stisura e me synime të paracaktuara.

Duket se deri diku kështu ka ndodhur me Napoleonin, për të cilin sigurisht se ka pasur plot fakte e dëshmi, porse rrënjë ka zënë mendimi e imazhi se ai ishte i shkurtër, bazuar kryesisht në punët e karikaturistit e grafistit britanik, James Gillray.

I konsideruar si “babai i karikaturave politike”, Gillray prodhoi shumë imazhe me karikatura të Napoleonit që do ta portretizonin atë si një “burrë të vogël”.

Vepra e tij më e famshme (dhe e konsideruar nga shumëkush si karikatura më e famshme politike e të gjitha kohërave), “The Plumb-pudding in dange” (“Bota në rrezik", ku rruzulli tokësor ishte paraqitur si një kek Krishtlindjesh i stilizuar), botuar në shkurt 1805, tregon Napoleonin të ulur përballë kryeministrit britanik William Pitt (Junior), i cili është portretizuar si dukshëm më e gjatë.

Në realitet, Napoleoni ishte në fakt me gjatësi mesatare për atë kohë. Mjeku i Napoleonit, Francesco Antommarchi e renditi lartësinë e tij si 5 këmbë 2 inç, por i referohej në këtë rast metrologjinë franceze, e cila në atë kohë një inç e konsideronte  2,71 cm dhe jo 2,54 cm të përdorur sot (me referencë britaniko-amerikane).

Duke përdorur sistemin modern te matjeve, lartësia e tij do të ishte sot pra 5 këmbë e 6 inç (1.68 m), e cila do të ishte mesatare për një person që jetonte në fund të shekullit të 18-të dhe në fillim të shekullit të 19-të, sikurse na dëshmohet gjerësisht nga kronikat e kohës.