Shtesë me rreth 2 mlm/ Popullsia e BE-së rritet sërish në vitin 2022 për shkak të emigrimit
Rritja e emigracionit në Bashkimin Evropian ka rritur shifrat e popullsisë, edhe pse në vitin 2022 u regjistruan më shumë vdekje sesa lindje.
Popullsia e BE-së u rrit nga 446.7 milionë një vit më parë në 448.4 milionë më 1 janar 2023. Popullsia ishte ulur më parë në 2020 dhe 2021 për shkak të pandemisë COVID-19.
Sipas Eurostat, rritja e popullsisë në 2022 mund të jetë për shkak të rritjes së imigracionit pas pandemisë dhe njerëzve që kërkojnë statusin e mbrojtjes së përkohshme në mbarë BE-në nga Ukraina pas pushtimit rus në shkurt 2022. Që nga marsi 2023, rreth 4 milionë njerëz nga Ukraina aplikuan për azil të përkohshëm në BE.
Disa vende të BE-së kanë shprehur së fundmi shqetësimet e tyre për rënien e natalitetit dhe kanë propozuar masa për tejkalimin e kësaj situate. Shkalla e lindshmërisë u ul në 11 nga 27 vendet e BE-së midis 2001 dhe 2021. Popullsia e shumë shteteve anëtare po plaket gjithashtu për shkak të rritjes së jetëgjatësisë.
Eurostat bëri të ditur se popullsia në 20 vende të BE-së është rritur, ndërsa në shtatë është ulur. Italia ka shënuar rënien më të madhe me 179 mijë e 419 persona, ndërsa Gjermania ka shënuar rritjen më të madhe me 1.12 milionë banorë.
