Nga Evropa në SHBA, temperaturat ekstreme përfshijnë edhe Japoninë
I nxehti përvëlues në shifra rekord parashikohet në mbarë botën, duke filluar nga SHBA-të, ku dhjetëra miliona po luftojnë me temperatura të larta të rrezikshme, deri në Evropë dhe Japoni, çka përbën shembullin më të fundit të kërcënimit në rritje nga ngrohja globale.
Autoritetet kanë dhënë alarmin, duke i këshilluar njerëzit të shmangin aktivitetet në natyrë gjatë ditës dhe të jenë të kujdesshëm ndaj dehidrimit. Shërbimi i motit në Las Vegas paralajmëroi se të supozosh se temperaturat e larta vijnë natyrshëm me klimën e shkretëtirës së zonës ishte “një mendim i RREZIKSHËM! Kjo valë e të nxehtit NUK është nxehtësia tipike e shkretëtirës”.
“Tani po fillon periudha më intensive”- shtoi shërbimi metereologjik, pasi fundjava mbërriti me nivele rekord që kërcënojnë të dielën.
Lugina e Vdekjes në Kaliforni, një nga vendet më të nxehta në Tokë, ka gjithashtu të ngjarë të regjistrojë pikun me temperatura të reja afro 54C të dielën.
Kalifornia jugore po lufton zjarre të shumta, duke përfshirë një në kontenë Riverside që ka djegur më shumë se 3,000 hektarë dhe ka nxitur urdhra evakuimi.
Maroku mund të jetë mësuar me motin e nxehtë, por ishte planifikuar për temperatura mbi mesataren këtë fundjavë me 47 C në disa provinca – më tipike për gushtin se korrikun – duke shkaktuar shqetësime për mungesë uji, tha shërbimi meteorologjik.
Në Lindjen e Mesme, Jordania që vuan nga mungesa e ujit për shkak të thatësirave u detyrua të derdhë 214 ton ujë në një zjarr që shpërtheu në pyllin Ajloun në veri në mes të një vale të nxehti, tha ushtria.
Në Irak, ku verërat përvëluese janë të zakonshme, së bashku me ndërprerjet e energjisë, Ëissam Abed i tha AFP-së se ata “gjetën shpëtim” nga i nxehti ekstrem i Bagdadit duke notuar në lumin Tigër. Por ndërsa lumenjtë irakianë thahen, po kështu thahet edhe argëtimi shekullor.
Me temperaturat afër 50 gradë C dhe erën që fryn nëpër qytet si një tharëse flokësh, Abed qëndronte në mes të lumit, megjithëse edhe këtij uji duket se po i vjen fundi, pasi për shkak të thatësirave tashmë i afrohet vetëm te beli.
“Unë jetoj këtu … ashtu si gjyshi im para meje. Vit pas viti situata e ujit përkeqësohet”, tha 37-vjeçari.
Ndërsa mund të jetë e vështirë t’i atribuohet një ngjarje e veçantë e motit ndryshimit të klimës, shkencëtarët këmbëngulin se ngrohja globale – e lidhur me varësinë nga lëndët djegëse fosile – qëndron pas shumëzimit dhe intensifikimit të valëve të të nxehtit në botë.
Valët e të nxehtit vijnë pasi shërbimi i monitorimit të klimës së BE-së tha se bota pa qershorin më të nxehtë të regjistruar muajin e kaluar.
Profesori i shkencave klimatike në Universitetin e Reading, Richard Allan u shpreh se “modelet e motit janë më të rënda se sa do të ishin zakonisht, për shkak të gazeve serrë që ne kemi pompuar në atmosferë për shkak të aktivitetit njerëzor”.
“Kjo nxehtësi shtesë është një lloj i ngarkimit të këtyre ekstremeve të motit … Ne duhet të trajtojmë shkakun, që është rritja e gazeve serrë që po ngrohin planetin tonë dhe po i bëjnë valët e të nxehtit më të nxehta, por gjithashtu shirat intensivë dhe përmbytjet më të rënda.”
