Ahmetaj në arrati, GJKKO ka 48 orë për të dhënë ose jo lejen për të hapur banesën e ish-Zv.Kryeministrit

Prokuroria e Posaçme i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për arrestimin e Arben Ahmetajt dhe ushtrimin e kontrollit të banesës së tij.

Gjyqtari paraprak Erion Bani, ka në dispozicion 48 orë për firmosjen e kërkesës ose refuzimin e saj, teksa të dielën në mbrëmje përfundon edhe orari zyrtar.

Në tavolinën e tij ndodhet vendimi i Parlamentit për heqjen e mandatit të deputetit, si dhe kërkesa e Prokurorisë së Posaçme me sqarimet përkatëse të akuzave.

SPAK e akuzon ish-zëvendëskryeministrin e qeverisë Rama për korrupsion në 6 episode, pastrim parash të dyshuara që janë siguruar nga biznesmenët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri si dhe për fshehje të pasurisë.

Ndërkohë, nëse gjyqtari paraprak do të miratojë kërkesën për arrestimin e tij, pritet që SPAK të urdhërojë Policinë dhë Byronë Kombëtare të Hetimit.

Nëse sikurse rezultojnë informacionet që Arben Ahmetaj nuk do gjendet në banesë pasi është arratisur jashtë vendit, bëhet shpallja e tij në kërkim.

Deputeti socialist i sapo shkarkuar, njëherësh për të paktën 10 vite një personazh kyç në qeverinë e Edi Ramës, i ka mohuar akuzat, por nga ana tjetër ka zgjedhur të mos përballet drejtpërdrejt me to, por përmes avokatëve.

Njëri prej këtyre të fundit, Henrik Ligori konfiroi të premten se ish-numri dy I qeverisë ndodhet në Britaninë e Madhe pranë familjes