Vijon operacioni “Lundrim i sigurtë”, kapen 46 mjete lundruese në cenim të ligjet në Koman dhe lumin e Shalës

Vijon në ditën e dytë të tij, operacioni policor i koduar “Lundrim i sigurtë”, që po zhvillohet nga Policia Kufitare e Shkodrës, DVP Shkodër, FNSH Shkodër dhe Delta Forcë, në bashkëpunim të ngushtë më Drejtorinë e Përgjithshme Detare.

Operacioni “Lundrim i sigurtë”, për kontrollin dhe verifikimin e plotë të dokumenteve dhe të përmbushjes së kritereve të sigurisë (pajisjen e pasagjerëve me jelekë shpëtimi), të mjeteve lundruese në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, si dhe për marrjen e masave penale dhe administrative ndaj pronarëve/poseduesve të këtyre mjeteve, që kapen në paligjshmëri.

Ky operacion është i treti që po zhvillohet përgjatë këtij viti, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, pas 2 operacioneve sensibilizuese dhe informuese, të zhvilluara në muajin shkurt dhe në muajin maj, ndaj subjekteve ekonomike që ofrojnë shërbimin e lundrimit, në të gjitha hapësirat ujore të vendit.

Qëllimi i vetëm i këtij operacioni është  siguria e jetës së turistëve dhe vizitorëve, dhe jo penalizimi i operatorëve ekonomikë që e ofrojnë shërbimin e lundrimit konform ligjeve dhe duke përmbushur plotësisht standardet e sigurisë.

Gjatë ditës së parë të këtij operacioni, u konstatuan 46 mjete lundruese (traget, skafë dhe varka artizanale) në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, që ishin në cenim të ligjeve për lundrim dhe të kritereve të sigurisë (nuk kishin pajisur pasagjerët me jelekë shpëtimi) për transport ditor, për qëllime turistike, të vizitorëve në këto vende.

Gjatë ditës së dytë të këtij operacioni, po vijon puna për identifikimin e pronarëve/poseduesve të varkave artizanale të bregëzuara gjatë ditës së djeshme, në pjesë të ndryshme të liqenit të Komanit.

Gjithashtu, paralelisht po vijon sekuestrimi i motorëve të varkave artizanale që nuk përmbushin parametrat e sigurisë dhe nuk janë të pajisura me dokumentacionin përkatës.