I akuzuar për 4 vepra penale, SPAK kërkon arrestimin/ Cilat janë nenet e shkelura nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj

SPAK i ka dërguar sot Kuvendit një letër kërkesë për arrestimin e ish-ministrit të Financave dhe zv.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe arrestimin e banesave të tij.

Ish-ministri akuzohet për katër vepra penale: mosdeklarim apo fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, korrupsioni pasiv, pastrimi i parave dhe shpërdorimi i detyrës.

Por cilat janë nenet për të cilat akuzohet ish-ministri i Financave?

Neni 248: Shpërdorimi i detyrës

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Neni 260: Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

Neni 257: Përfitimi i paligjshëm i interesave

Mbajtja, ruajtja ose marrja e drejtëpërdrejtë ose e tërthortë, nga persona me funksione shtetërore apo shërbim publik, i një interesi të çfarëdoshëm në një ndërmarrje ose operacion, në të cilat në momentin e kryerjes së veprimit ka pasur detyrën e mbikqyrjes, administrimit ose likuidimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

Neni 287: Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penal ose i veprimtarisë kriminale;
c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;
d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;
- dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim.

I akuzuar për 4 vepra penale, SPAK kërkon arrestimin/ Cilat janë
Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetaj