Dita e 500 e fillimit të agresionit rus në Ukrainë, vazhdon rritja e bilancit të viktima
Kjo e shtunë shënon ditën e 500 që prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë, e cila vijon me rritjen e bilancit të viktimave.
Sipas autoriteteve të vendit të paktën tetë persona janë vrarë në një sulm në një zonë banimi në rajonin lindor të Donetskut. Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se 13 persona të tjerë u plagosën në granatimet ruse të qytetit Lyman.
Kundërofensiva e Ukrainës, e cila filloi muajin e kaluar, e ka përqendruar punën në rajonet lindore të Donetsk dhe Zaporizhzhia juglindore. Përparimet e saj kanë qenë të ngadalta, ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj me raketa dhe dron.
Të enjten, 10 persona, duke përfshirë një grua 95 vjeç, u vranë pasi një raketë ruse goditi një ndërtesë apartamentesh në Lviv, Ukrainën perëndimore. 40 persona të tjerë u plagosën në atë që kryebashkiaku i Lviv e përshkroi si "një nga sulmet më të mëdha" në infrastrukturën civile të qytetit. Për muaj të tërë, Rusia ka kryer sulme vdekjeprurëse me raketa dhe me dronë në qytetet ukrainase, duke goditur shpesh objektiva civilë dhe duke shkaktuar ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike.
Ndërkohë Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka postuar një video të tij duke vizituar Ishullin e Gjarpërinjve që u bë simbol i rezistencës ukrainase. Në fillim të luftës, ushtarët ukrainas që mbronin ishullin e gjarpërinjve kundërshtuan urdhrin e një luftanijeje ruse për t'u dorëzuar.
Ishulli i Detit të Zi u pushtua nga Rusia, por më vonë u rimor nga Ukraina. Në klipin pa datë, të postuar në Telegram, Zelensky e përshkroi atë si provë se Ukraina do të kthejë çdo centimetër të territorit të saj të marrë nga Rusia që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022.
“Dua të falënderoj nga këtu, nga ky vend i fitores, secilin prej ushtarëve tanë për këto 500 ditë”, tha Zelensky në videon, në të cilën ai u shfaq duke mbërritur në ishull me varkë dhe duke lënë lule në një memorial.
Vitin e kaluar, anija kryesore e Rusisë Moskva lundroi në ishullin e gjarpërinjve brenda disa orësh nga fillimi i luftës dhe urdhëroi ushtarët ukrainas në ishull të dorëzoheshin.
"Unë sugjeroj që të lini armët dhe të dorëzoheni për të shmangur gjakderdhjen dhe viktimat e panevojshme. Përndryshe, do të bombardoheni", tha një oficer rus.
Përgjigja dhe shkëmbimi verbal ukrainas u bënë virale ndërsa një ushtar u përgjigj duke i thënë anijes luftarake ruse "shkoni në ferr" - edhe pse në një gjuhë shumë më të ashpër.
