Biden dhe Sunak diskutojnë kundërofensivën e Ukrainës
Joe Biden pritet të ngrejë shqetësimet për procesin e paqes në Irlandën e Veriut dhe të diskutojë kundërofensivën ukrainase me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, në takimin e planifikuar javën e ardhshme.
Presidenti amerikan Biden do të takohet të hënën me kryeministrin Sunak në Londër dhe me mbretin Charles në rezidencën e tij, Windsor Castle, përpara se të marrë pjesë në samitin e NATO-s, në Lituani.
Në takimin e tyre të pestë, Shtëpia e Bardhë tha se Biden do të diskutojë me Sunak mbështetjen për Ukrainën dhe situatën në fushën e betejës.
Biden, ka të ngjarë të diskutojë gjithashtu tensionet pas Brexit.
“Presidenti amerikan, Biden mbetet i fokusuar në partneritetin me Britaninë e Madhe, dhe vazhdimin e sigurimit të paqes dhe prosperitetit dhe stabilitetit në rajonin më të gjerë”, tha drejtoresha e lartë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Evropën, Amanda Sloat.
“Irlanda e Veriut është sigurisht një çështje për të cilën presidenti Biden flet rregullisht me homologun e tij britanik, Sunak”, shtoi ajo.
Biden do të marrë pjesë gjithashtu në forumin për “Mobilizimin e Financave për Klimën”, i fokusuar në mbështetjen e vendeve në zhvillim, në BM.
Të dy liderët do të bashkohen me aleatët e tyre në samitin e NATO-s, në Vilnius të martën, ku do të ketë diskutime lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në aleancë.
