Beqa: Refuzimi i Kurtit për Ramën i nxituar, kryeministri shqiptar po përdoret edhe nga ndërkombëtarët

Për profesion e marrëdhënieve ndërkombëtare Mentor Beqa vendimi i Kurtit është një përgjigje ndaj vendimit të nxituar të Ramës për anulimin e dy mbledhjeve të qeverisë.

Në një intervistë në RTV Ora ai tha se Rama është përdorur si instrument nga ana e faktorëve ndërkombëtarët për t’i ushtruar trysni Kosovës për të pranuar kushtet e tyre.

Beqa: Vendimi i Kurtit është një përgjigje ndaj vendimit të nxituar të Ramës për anulimin e dy mbledhjeve të qeverisë. Po ashtu është një vendim i nxituar i Kurtit pasi marrëdhënie mes dy vendeve tona nuk mund të kenë lojëra të tilla inatesh sepse përfaqësojnë dy shtete përkatëse. Reagimi i Kurtit është i nxituar edhe pse këtë lojë e ka nisur Edi Rama. Rama është përdorur si instrument nga ana e faktorëve ndërkombëtarët për t’i ushtruar trysni Kosovës për të pranuar kushtet e tyre. Ky është një rol edhe i pakërkuar. Natyra e kompozimit politik të shqiptarëve në rajon ia pamundëson rolin paternaliste Tiranës Zyrtare në rajon. Kosova dhe Shqipëria nuk mund të kenë raporte vasaliteti sepse kemi të bëjmë me dy shtet gati simetrike.

Ky lloj tensioni mes Tiranës dhe Prishtinës është i pritshëm. Ndërhyrja e Tiranës është shumë më brutale, por kemi pasur të tilla ndodhi edhe më herët, qysh pas shpalljes së pavarësisë. Sigurisht që këtu ka edhe interesa vetjake sepse duket se ka një garë mes Ramës dhe Kurtit. Nuk do të ishte e hijshme mendoj që të shkojnë marrëdhëniet që një kryeministër shqiptar të shkojë dhe të bëjë xhiro në Prishtinë, të pijë kafe dhe të kthehet në Tiranë.