Clinton pritet me ceremoni zyrtare nga Rama: Një nga oratorët më të mahnitshëm që ka njohur historia

Presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Clinton po viziton sot për herë të parë Shqipërinë.

Clinton u prit nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë.

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i 42-të i SHBA-ve Bill Clinton bënë parakalimin ceremonial dhe nderuan flamujt e dy vendeve.

Në ceremoninë zyrtare marrin pjesë ministra të kabinetit qeveritarë, deputetë të Kuvendit, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, drejtues të institucioneve të ndryshme, si dhe qytetarë që kanë mbushur Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri, presidentit të 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton.

Ish-presidenti amerikan, Clinton pritet të nderohet sot me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike” nga kryeministri Edi Rama.

“Nderimi me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike” për Presidentin dhe liderin e rrallë Bill Clinton, kontributi i të cilit për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit tonë do të mbetet një trashëgimi e çmuar në faqet e historisë”, ka shkruar Rama, në një postim në rrjetet sociale, teksa ka ndarë videon e ceremonisë së posaçme zyrtare.

Rama: Shumë i dashuri presidenti Clinton. Nuk ka qenë kurrë më e veshtirë për mua sesa të përgatitem të flas, e pastaj edhe të flas këtu, duke ditur se pas meje do ta marrë fjalën një njeri të cilit qysh përpara se të hyja në jetën politike kam parë e dëgjuar fjalimet e tij, për shijet drejt një bote më të mirë. Në krah të apsionit të tij prej një uliski në kërkimin e paqes dhe prosperitetit, ku rruga është vetë qëllimi i të gjitha përpjekjeve, jo vetëm kam riparë të gjitha ato që ka thënë por dhe studiuar sesi për të mësuar jo vetëm prej përmbajtjes por të artit, duke i analizuar ritmin, hapjet, kulminacionet,, e duke i admiruar empatinë, atë që e bën Clinton një nga oratorët më të mahnitshëm që ka njohur historia.