"Të afërmit e saj ‘pushtojnë’ prokurorinë e Tiranës", Felaj: I kemi marrë titujt me meritë
Ka pasur replika të forta në Kuvend mes deputetëve të opozitës dhe drejtueses së seancës Ermonela Felaj, 4 familjarë të së cilës janë emëruar në poste të ndryshme në prokurorinë e Tiranës.
Në replikat e saj me Albana Vokshin, Luan Baçin dhe Sali Berishën, Felaj tha se emërimi i tyre është bërë në bazë të meritës, dhe jo të përkatësisë politike të saj.
“Nëse duhet të jem unë këtu apo jo, nuk e vendosni ju, e kanë vendosur të tjerë njerëz. Zonja Vokshi mos e mbani të bllokuar foltoren, kjo është komplet e stisur, është e disata herë që e bëni.
Meqë i keni kaq merak familjarët e mi, ti dhe gjithë të tjerët, ato tituj nuk na i ka dhënë politika, por na i ka dhënë arsimi. Mos i sillni familjarët këtu se është shumë e shpifur.
Duhet të ishit larguar ju dhe familja juaj nga ky vend që ju ka shpallur SHBA non grata, në biografinë time dhe të familjes nuk gjendet asnjë njollë e zezë”, u shpreh Felaj.
Antarët e familjes Felaj hynë njëri pas tjetrit në prokurorinë e Tiranës pasi u konfirmuan nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Përgjatë katër viteve të fundit, në Prokurorinë e Tiranës janë emëruar tashmë tre familjarë të deputetes Felaj. Në mars të vitit 2019, KLP vendosi të emërojë si prokuror në Tiranë përmes një procedure të diskutueshme bashkëshortin e deputetes, Bledar Valikajn, pa kaluar më parë procesin e vetingut.
Vetëm pak muaj më vonë, në maj 2019, Prokuroria e Përgjithshme përzgjodhi pas një procedure konkurruese vëllanë e deputetes, Armando Felaj si oficer të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës. Në mbledhjen plenare të datës 29 maj, u miratua projektakti për transferimin e bashkëshortes së këtij të fundit, Alma Felaj, nga Prokuroria e Durrësit në atë të Tiranës.

