“Kosova ka në tryezë ofertën më të mirë”, Rama: Të detyrohet Serbia ta pranojë
Kryeministri Edi Rama tha sot se Kosova e ka ofertën më të mirë të mundshme në tavolinë për të ardhmen e saj.
Rama këto komente i bëri drejtpërdrejtë nga Ulqini, në një lidhje për Euronews Albania. Ai tha se plani franko-gjerman është oferta më e mirë e mundshme që duhet të shtyhet para dhe të detyrohet Serbia që ta pranojë.
“Unë i kam thënë opinionet e mia. Ajo që shumë kush komentojnë duke ju hakërryer apo ju ankuar apo shprehur ndjenja negative miqve, partnerëve, aleatëve tanë është se ndërkohë që flasim ndryshe nga të gjitha herët tjera në të shkuarën Kosova ka në tryezë ofertën më të mirë të mundshme për të ardhmen e saj.
Ka në tryezë planin franko-gjerman, të cilën është Kosova në radhë të parë dhe jemi ne shqiptarët që jemi të interesuar dhe duhet ta shtyjmë përpara deri në fund duke këmbëngulur për tryezën, për të shfrytëzuar këtë potencial të aleancës dhe miqësisë me bashkësisë euro-atlantike për ta detyruar Serbinë që ta pranojë…
Praktikisht që do të thotë hapja përfundimtare e rrugës, të ardhmes për një Kosovë të njohur nga të gjithë dhe me ulësen e vet në Kombet e Bashkuara”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama që prej ditës së djeshme ndodhet në Ulqin, për të ndjekur koncertin e tenorit me famë botërore, Rame Lahaj me ftesë të Dritan Abazoviçit.
Rama ka diskutuar dhe për ardhjen e Bill Clintonit në datën 3 në Tiranë, ku Kryeministri e ka cilësuar Clintonin dhe Tony Blair, si dy etër, të asaj që ka ardhur pas zgjidhjes së situatës në Kosovës.
Megjithatë, duke iu referuar situatës aktuale, kur kryeministri Albin Kurti nuk është duke u dakordësuar plotësisht me aleatët ndërkombëtarë.
Duke pasur parasysh dhe sanksionet e paralajmëruara nga vendet euro-atlantike, Rama ka thënë në mënyrë metaforike, se: “Ka ardhur një moment që fëmija nuk po i dëgjon baballarët”.







