Kërkon heqjen e sekuestros për vilën në Palasë, Ahmetaj bën rekurs në Gjykatën e Lartë
Avokatët e ish-zv. kryeministrit Arben Ahmetaj dhe të ish-bashkëshortes së tij, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër sekuestros së vilës në Palasë.
Kërkesës i është bashkuar edhe shtetasja zvicerane përmes avokatit të saj, emri i të cilës rezulton si pronare e vilës në Palasë.
Bëhet fjalë për kundërshtimin e urdhrit të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që lanë në fuqi masën e sekuestros.
Avokatët pretendojnë se masa është e padrejtë duke shtuar se vila nuk është në pronësi të Ahmetajt dhe as e ish-bashkëshortes së tij, pasi e kanë patur thjeshtë në përdorim.
Më herët Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e heqjes së sekuestros së vilës në Hamallaj që është në emër të Erjola Hoxhës, bashkëjetueses së Arben Ahmetajt.
Kujtojmë se një javë më parë, ish-numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj u pyet për 6 orë nga prokurorja Enkeleda Millonaj dhe agjentë të BHH-së në lidhje me hetimet e nisura ndaj tij për 4 vepra penale.
