Hetimi financiar i zyrtarëve të lartë, SPAK marrëveshje bashkëpunimi Zyrën e Prokurorit të BE
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani nënshkroi një marrëveshje pune me drejtuesen e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, Laura Codruța Kövesi.
SPAK përmes një njoftimi për mediet, bëri të ditur se “marrëveshja konsiston në vendosjen e urave të bashkëpunimit në hetimin financiar për veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë publikë”.
“Përfaqësuesit e dy institucioneve diskutuan gjithashtu mundësinë e bashkëpunimit edhe në kuadrin e rritjes së kapaciteteve njerëzore, kryesisht në trajnimet që ekspertët e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian mund të ofrojnë për Seksionin e Hetimit Financiar në Prokurorinë e Posaçme dhe shkëmbimin e eksperiencave të mira midis prokurorëve evropianë dhe prokurorëve të posaçëm në hetimin e keqpërdorimit të fondeve publike”, njofton SPAK.
Palët po ashtu kanë rënë dakord të lehtësojnë bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale dhe të shkëmbejnë informacione mes të dyja palëve në hetimet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Zyra e Prokurorit Publik të BE njofton se “së bashku me marrëveshjen e punës të nënshkruar me Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë më 4 korrik 2022 në Luksemburg, marrëveshja e lidhur me SPAK forcon bashkëpunimin me autoritetet shqiptare dhe tregon përkushtimin e ZPP-së për të punuar me autoritetet kompetente nga vendet kandidate për në BE”.


