Të djathtët në Serbi mblidhen në “mbështetje të serbëve në Kosovë”
Partitë e djathta opozitare në Serbi u mblodhën mbrëmjen e 28 qershorit në Beograd, në shenjë mbështetjeje për serbët nga Kosova.
Tubimin e organizoi “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”, me mbështetjen e partive të djathta, përfshirë edhe partitë opozitare parlamentare: Dveri dhe Zavetnici.
Në tubimin që vazhdon, dëgjohen këngë nacionaliste për Kosovën dhe është shpalosur pankarta: “Stop terrorit ndaj serbëve në Kosovë e Metohi”.
Të tubuarit valëvisin flamuj të Serbisë dhe slogane “s’ka dorëzim”, në të cilat figuron po ashtu harta e Kosovës.
Ata kërkojnë mbështetjen e Rusisë për politikën e Serbisë ndaj Kosovës.
Në mesin e kërkesave të tyre dëgjohet lirimi i serbëve të arrestuar në veri të Kosovës, të cilët Policia e Kosovës i ka identifikuar si organizatorë të incidenteve në atë zonë, gjatë muajit të kaluar.
Gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve, kritika ndaj Vuçiqit
Folësit në protestë u drejtuan me fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Ata kritikuan edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Qeveria në Serbi u quajt “tradhtare”./REL