Tensionet Kosovë-Serbi/ Eurodeputeti gjerman kritikon Lajçakun: Pse mban anën e agresorit dhe jo të viktimës
Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler ka adresuar kritika ndaj të dërguarit të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi.
Gjatë raportimit të Miroslav Lajçakut për dialogun Kosovë-Serbi, eurodeputeti gjerman ka ngritur shumë pyetje, ndërsa e ka kritikuar atë se po mban anën e Serbisë.
“E kam ndjekur aktivitetin tënd që nga koha kur e keni marr funksionin. Ju shoh më tepër në anën e agresorit, jo të viktimës në relacionin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, është shprehur euro-deputeti.
Ai ka theksuar gjithashtu se të gjithë i dinë veprimet e qeverisë dhe të liderëve serbë, duke filluar nga çështja e targave të automjeteve, mospjesëmarrja në zgjedhje, politika koordinuese e Serbisë me Rusinë dhe mosnënshkrimi i marrëveshjes së pretenduar.
“Të gjitha i kontribuojnë opinionit publik në Kosovë që thonë jo, nuk duam asnjë koncesion edhe nëse na njohin…”, tha Gahler.
Eurodeputeti gjerman e pyeti të dërguarin e BE-së mbi mënyrën e reagimit të tij ndaj presidentit serb dhe qeverisë së tij.
“Ajo që nuk e di, zoti Lajçak, është reagimi juaj ndaj presidentit serb dhe qeverisë së tij. A nuk duhej ta kritikonit publikisht edhe Vuçiccin? A nuk duhej që BE-ja të ndalonte apo të kërcënonte se do të pakësonte ndihmën financiare? A nuk duhet t’i drejtoheni nacionalizmit serb që është shkaku kryesor i pasigurisë dhe frikës në të gjithë Ballkanin Perëndimor?”, pyeti deputeti evropian.
Gahler ka ngritur çështjen e mosreagimit të Lajçakut dhe Borrellit lidhur me protestat masive në Serbi kundër qeverisë.
“Cilat janë fjalët tuaja dhe të Borrellit për qytetarët e Serbisë që protestuan në numër të madh kundër qeverisë së tyre?”, pyeti ai.
Deputeti gjerman shtoi se Kosova është vendi më properëndimor në rajon, me arritje kundër korrupsionit, forcimin e ligjit, e në linjë 100 për qind me politikën e jashtme të BE-së.
“…Kosova është e hapur për një zgjidhje të balancuar me Serbinë, por po kërkon ndërmjetës të ndershëm që nuk e ‘zbusin’ presidentin serb. Nuk do të hyja në detaje të mëtejshme në atë që kemi parë me siguri se kush ishte i përgatitur të nënshkruante diçka ose kujt iu kërkua të kishte ndonjë nënshkrim në një letër të bardhë”, u shpreh ndër të tjera eurodeputeti Gahler.
