Zbardhet dosja/ Si u fut Pashaj aksioner tek kompania e naftës “Gerondi”. Përplasjet nisën kur Alberti i mori edhe vilën
Zbulohet kompania e naftës ku Aredin Behari, u detyrua të fuste si aksioner me 30.7 për qind të kuotave njërin nga vëllezërit Pashaj, Ardian Pashaj, ku qëllimi ishte shlyerja e detyrimeve financiare që i kishte vëllezërve Pashaj në Fier.
Albert Pashaj, i arrestuari i SPAK duket se është truri i kësaj skeme, njëherësh dhe njeriu që ka premtuar 80 mijë euro Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tasin, për vrasjen e biznesmenin Aredin Behari në vitin 2017 dhe 2019.
“Ora News” ka mësuar se bëhet fjalët për firmën e hidrokarbureve “Gerondi” Sh.p.k, një biznes familjar i hapur në Fier nga Behari qysh prej vitit 1999.
Sipas dosjes së SPAK, biznesmeni Aredin Behari, është vënë në presion të vazhdueshëm nga dy vëllezërit Ardian dhe Albert Pashaj, me qëllim shlyerjen e një borxhi financiar.
Megjithëse herë pas here Behari, i ka dorëzuar sasi të konsiderueshme parash dy vëllezërve Pashaj, sërish këta të fundit pretendonin se nuk ishin likuiduar.
Presionet dhe konfliktet sa vinin dhe shtoheshin, duke detyruar biznesmenin Aredin Behari, që të fuste si aksioner në kompaninë e tij të naftës “Gerondi”, njërin nga vëllezërit Pashaj.

Hetimet e prokurorisë SPAK, zbuluan se Ardian Behari, në datën 3 korrik 2012, është bërë aksioner tek kompania “Gerondi”. Sipas dosjes hetimore të prokurorisë, për futjen e Pashaj, është kryer një manovër juridike me shitjen fiktive të kontratave.
Fillimisht në 14 shkurt 2012, biznesmeni Aredin Behari i shet 40 për qind të aksioneve një personi të quajtur, Lefter Serjani.
Shitja sipas kontratës noteriale është kryer kundrej 200 milion lekëve të vjetra, dhe shuma financiare ishte likuiduar jashtë ambientit të zyrës së noterit.
Por 4 muaj më pas, çuditërisht e njëjta kontratë noteriale por duke ndryshuar vetëm emrat, përpilohet mes Lefter Serjanit dhe Ardian Pashaj.
Ky i fundit futet aksioner me 40 për qind të kuotave, duke pretenduar se i kishte blerë kundrejt shumës prej 200 milion lekë të vjetra të paguara jashtë zyrës së noterit.
Me kalimin e kohës kuotat e Ardian Pashaj, janë ulur në 30.7 për qind të aksioneve, pasi llogaritej kthimi i një pjesë të borxhit financiar nga Aredin Behari.
Aktualisht Ardian Pashaj vijon të jetë aksioner në këtë kompani hidrokarburesh, ndërsa vëllai i tij, Albert Pashaj, është arrestuar nga SPAK për akuzën e “Vrasjes me paramendim” kryer për interes mbetur në tentativë dy herë në dëm të Aredin Beharit.
Në pamundësi për të shlyer një pjesë të borxhit financiar, Aredin Beharit, Albert Pashaj i ka marrë një vilë banimi në qytetin e Fierit.
Behari ka kundërshtuar këtë gjë në gjykatën e Fierit, ndërsa palët janë përfshirë në debate dhe konflikte të ndërsjellta mes njëri-tjetrin.
Në shkallën e parë të gjykimit, betejën ligjore e kanë fituar vëllezërit Pashaj. Ndërsa në gjykatën e Apelit Vlorë, gjyqi është fituar nga Aredin Behari.
Në këtë periudhë njëri nga vëllezërit, Albert Pashaj pa dijeninë e vëllait tjetër Ardjanit, ka kontraktuar Henrik Hoxhajn dhe Skerdi Tasin për të vrarë Aredin Beharin, kundrejt shumës prej 80 mijë eurove.
Një gjë e tillë është bërë në vitin 2017 dhe në vitin 2019, si shenjë hakmarje për mosmarjen e borgjeve financiare nga Aredin Behari.
Ky i fundit i ka shpëtuar të dy atentateve. Ndërkohë plani për ekzekutimin e Beharit, është treguar në SPAK nga bashkëpuntori i Drejtësisë Henrik Hoxhaj,duke sjellë riarestimin e Skerdi Tasi dhe ndalimin në Fier të Albert Pashaj.
Pritet që gjatë kësaj jave ky i fundit të dali para gjykatës së Posaccme për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”.
