Prokurimi Publik, Myzyri: 39 % e ankesave për dokumentet e tenderit, 61 % për vlerësimet e ofertave

Jonaid Myzyri, Kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik, prezantoi sot para deputetëve në seancën plenare të Kuvendit, Raportin e veprimtarisë, së institucionit që ai drejton përgjatë vitit 2022.

Myzyri u ndal në mënyrë të veçantë në reformën e digjitalizimit të shërbimeve dhe efektet që solli në rritjen e aksesit të operatorëve ekonomikë në sistemin e rishikimit.

“Viti që lamë pas ishte një vit i rëndësishëm për të matur impaktin dhe progresin e reformës së digjitalizimit të shërbimeve.

Vetëm gjatë një viti, mbi 39 % e operatorëve ekonomikë, zgjodhën vullnetarisht të dorëzojnë ankesa vetëm në rrugë elektronike pranë autoritetit/enteve kontraktore dhe Komisionit të Prokurimit Publik.

Digjitalizimi i shërbimeve ka rritur shpejtësinë e vendimmarrjes, ku vetëm 10.1% e ankesave janë trajtuar jashtë afatit të parashikuar ligjor dhe ka shkurtuar kohën e shqyrtimit të ankesave nga 17-të në 12-të ditë.

Gjatë vitit 2022 është vënë re, se autoritetet kontraktore kanë shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime/problematikave”, tha ai.

Ai u ndal më tej dhe tek roli i ri i KPP-së në zhvillimin e të gjitha procedurave të prokurimit publik pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.

“Nga 6494 procedura të publikuara për t’u zhvilluar në Sistemin e Prokurimeve Elektronike, për 532 procedura unike janë paraqitur 794 ankesa, nga të cilat 782 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 8 për procedurat e ankandit publik, 4 ankesa në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ankesat janë paraqitur nga 300 operatorë ekonomikë unikë për 201 autoritete kontraktore”, u shpreh ai.

Sipas tij, “39 % e ankesave janë paraqitur për dokumentet e tenderit dhe 61 % e tyre për fazën e vlerësimit të ofertave”.

Lidhur me vendimmarrjen e KPP-së, Myzyri sqaroi se, janë marrë 815 vendime.

Ai theksoi se, “ngritja dhe forcimi i kapaciteteve, ka qenë kryefjala e vitit 2022 për institucionin e Komisionit të Prokurimit Publik, si me institucionet publike, ku ka vijuar trajnimi me Universitetin e Tiranës dhe ka nisur puna për hartimin e një manuali për operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore, por gjithashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë”. 

Teksa vuri në dukje se, Komisioni, lidhi marrëveshjen e posaçme me Autoritetin Kombëtar Anti – Korrupsion të Republikës së Italisë (ANAC), me synim ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve.