Kompensimi tokë me tokë/ ATP, në Kuvend: 5 bashki me sipërfaqe të lira. Numri i dosjeve të patrajtuara, ende i lartë
Agjencia e pronave në raportin në komisionin e ligjeve kanë pranuar se numri i dosjeve të patrajtuara ende mbetet i lartë. Ndërkaq prioritet do ti jepet kompensimit tokë me tokë, ku janë 5 bashki që kanë ende sipërfaqe të lira
Agjencia e Trajtimit të Pronave do t’i japë përparësi kompensimit fizik të pronave.
Në raportimin në Komisionin Parlamentar të Ligjeve kreu i ATP-së renditi dhe qarqet ku sipërfaqet janë vënë në dispozicion të pronarëve.
“Agjencia e Trajtimit të Pronave ka një fond dhe VKM për këtë çështje. Kryesisht kemi 4 qarqe: Berat, Gjirokastër, Elbasan dhe Korçë”, u shpreh ai.
Deri më tani janë rreth 26 mijë dosje që kanë marrë vendim. Edhe pse prej vitesh 8 mijë të tjera nuk janë hapur nga ATP sërish numri i tyre mbetet i lartë edhe për shkak të përfundimit të afateve.
“Në lidhje me procesin e kompensimit, ATP ka vlerësuar gjithsej 26.092 vendime përfundimtare për kompensim, të viteve 1993-2013. Ndërkaq, 9300 dosje janë pa vendim, por që janë në trajtim”, u shpreh kreu i ATP-së.
Gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë qeverisë shqiptare mbi çmimin e kompensimit të pronave duke saktësuar se përcaktimi kadastral do të jetë ai i momentit të sekuestrimit.
Por gjithnjë jo më pak se 10 për qind të vlerës aktuale.
Si pasojë e kësaj edhe numri i ankimimeve në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut është i ulët, por edhe ankesat e reja janë refuzuar.



