Ndryshimet e klimës, Sejko: Banka e Shqipërisë e fokusuar për ndikimin në ekonomi
Në Tiranë zhvilloi punimet Konferenca e Nivelit të Lartë “Financa e Gjelbër në Evropën Juglindore: Zhvillimi i Kapaciteteve dhe një Taksonomi”.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke marrë fjalën në këtë takim shprehu mirënjohje ndaj CEF-it (Center of Excellence in Finance/Qendra e Ekselencës në Financë) për organizimin e kësaj konference dhe krijimin e mundësisë për të rrahur mendimet mbi një çështje të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e planetit tonë.
“CEF-i ka qenë një partner i fortë dhe i besueshëm për ne, me të cilin do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për të ndërtuar politika që garantojnë stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Përmes aktiviteteve të tij, CEF-i kontribuon në arritjen e qëllimeve të Agjendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, duke promovuar institucione efektive, të përgjegjshme dhe të përfshira në të gjitha nivelet”, tha ai.
Sejko vuri në dukje se, ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim serioz për mirëqenien e njerëzve dhe shëndetin e planetit tonë. Këto rreziqe, qofshin ato fizike – për shkak të ngjarjeve ekstreme të motit – ose kalimtare, janë komplekse për t’u kuptuar dhe vlerësuar.
“Ky kompleksitet thellohet në mungesë të një gjuhe ose taksonomie të përbashkët, si dhe të të dhënave të mjaftueshme dhe modeleve empirike e metodave për të vlerësuar këto rreziqe, natyra e të cilave është e sigurt, por shtrirja dhe ndikimet e tyre në sektorin financiar mbeten të përcaktuara e të vlerësuara në mënyrë të dobët”, tha ai.
Sejko tha se, përballë kësaj situate, sektori financiar luan padyshim një rol të rëndësishëm në arritjen e këtij synimi, jo vetëm përmes përzgjedhjes e financimit të projekteve të gjelbra, por edhe duke ruajtur ekuilibrin e kërkesë-ofertës në tregje. Në të njëjtën kohë, sektori financiar është veçanërisht i ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshimit të klimës.
“Si një institucion publik, Banka e Shqipërisë është e përkushtuar për të kuptuar dhe trajtuar pasojat ekonomike dhe financiare të ndryshimeve klimatike dhe kalimin në një ekonomi me emetim neto zero. Ne po punojmë për të përshtatur kuadrin regullativ dhe politikat tona me këto ndryshime.
Ndarja e njohurive, praktikave, diskutimet, trajnimi i stafit dhe edukimi i publikut, janë të rëndësishëm në këtë proces dhe Banka e Shqipërisë do të vazhdojë t’i dedikojë burime të mjaftueshme studimit dhe modelimit të efekteve të klimës në stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar”, u shpreh Guvernatori.
Ai tha se, të kuptuarit e çështjes së ndryshimeve klimatike nga këndvështrimi i bankave qendrore dhe mbikëqyrësve përfshin edhe ndryshimet strukturore që do të ndikojnë sistemin financiar dhe në ekonominë në përgjithësi.
“Këto ndryshime do të na sfidojnë në kryerjen e misioneve tona themelore, qoftë në lidhje me stabilitetin e çmimeve, stabilitetin financiar apo përfshirjen financiare.
Në Evropën Juglindore, institucionet tona financiare janë në fazat fillestare të zhvillimit të një perspektive strategjike dhe implementimit të hapave të parë për financën e gjelbër.
Ndërsa kapacitetet dhe taksonomia në financën e gjelbër po zhvillohen shpejt, ende ka shumë boshllëqe që kërkojnë koordinim të kujdesshëm, përshtatje të herpashershme dhe mësim të vazhdueshëm”, deklaroi Sejko.










