Berisha: Sot ndjehem muxhahedin, të mbajmë një minutë heshtje për martirin e lirisë. Balla: Ngjarja i takon drejtësisë
Përtej agjendës së parashikuar në rendin e ditës, mazhoranca dhe opozita pritet të përplasen mes tyre për situatën e krijuar nga zbarkimi i policisë së Shtetit në kampin e muxhahedinëve të MEK-ut në Manzë dy ditë më parë.
Nga foltorja e Kuvendit ish-kryeministri Sali Berisha lëshoi një sërë akuzash të forta ndaj qeverisë për sjelljen e Policisë ndaj përfaqësuesve të opozitës iraniane të strehuar nga Shqipëria që prej vitit 2014.
Berisha: Jam këtu për të deklaruar sot se në këtë moment ndjehem më shumë se kurrë njëri prej tyre, ndjehem një muxhahedin, luftëtar i lirisë.
U shpreh atyre ndjenjat e mia më të sinqerta të mbështetjes dhe simpatisë.
Ndjehem sot muxhahedin sepse qeveria amorale e këtij vendi vrau në bukë të vet, në strehë të vet, një luftëtar lirie.
Ndjehem sot muxhahedin më shumë se kurrë, sepse aktakuza e djeshme që lexuat, është historia më e turpshme për një vend. Ajo ishte e shkruar në Teheran.
Aktakuza bazohej e tëra në shpifje, trillime të shërbimeve të ajatollahëve ndaj luftëtarëve të lirisë.
Aktakuza përmbante elementë të poshtërimit ekstrem të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikur nuk është një vend anëtar i NATO-s, por sikur është një vasal i Iranit.
Të marrësh ato për bazë, për të ushtruar një reprezalje më të turpshme në historinë e këtij vendi.
Ndaj kërkoj largimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm. Kërkoj të mbajmë një minutë heshtje për martirin e lirisë që ra për t’u bërë i pavdekshëm. Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje!
Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar Taulant Balla replikoi me Berishën duke e akuzuar se kërkon të përdorë ngjarjen. Ai tha se rendi i ditës nuk mund të ndryshohet pasi ka një procedurë.
REPLIKAT NGA VENDI
Taulant Balla: Ka një formë për paraqitjen e kërkesave për ndryshimin e rendit të ditës. Ky që bën….
Sali Berisha: Keni shkelur marrëveshjen…
Taulant Balla: O teknika do ia mbyllni. Ky që bën sikur i dhemb barku për atë që po heton drejtësia shqiptare bën të njëjtën gjë sa herë drejtësia bën punën e vet. Kuvendi as nuk mund të përfshihet dhe as të ndërhyjë në çështje që i takojnë drejtësisë. Koha kur politika përfshihej në çështjet e drejtësisë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Kuvendi nuk mund të ndërhyjë dhe as të përfshihet kurrsesi. Policia ka zbatuar pikë për pikë dhe fjalë për fjalë vendimin e prokurorisë, SPAK. Përdorimi për qëllime politike dhe i një ngjarjeje si kjo, ka 32 vite që ky popull e di fare mirë që ky personi që sapo doli bën korbin, bën skifterin. Ne nuk mund të hedhim në votim diçka që nuk ekziston. Këta që nuk mësuan kurrë se për të ndryshuar rendin e ditës ka një procedurë, një model, kështu që ecim përpara me rendin e ditës.
Më herët kujtojmë se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë deklaruar se nuk është përdorur dhunë ndaj asnjë prej anëtarëve, teksa kanë shtuar se vdekja e një prej anëtarëve të kampit, nuk ka ardhur si pasojë e përplasjeve.





